Turqia i bën thirrje Gjermanisë që të heqë paralajmërimin për udhëtim

Prishtinë | 12 Qer 2020 | 21:12 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i ka bërë thirrje sot Gjermanisë që të heqë paralajmërimin për udhëtim në Turqi.

Duke folur për javoren gjermane Der Spiegel, transmeton Anadolu Agency, Çavuşoğlu komentoi vendimin e Gjermanisë për të hequr paralajmërimin për udhëtim për vendet e BE-së ndërsa e zgjati atë për të gjitha vendet e tjera deri më 31 gusht.

“Është e vështirë të kuptosh arsyet shkencore prapa këtij vendimi”, tha Çavuşoğlu, duke i bëri thirrje Berlinit zyrtar që të heqë paralajmërimin për udhëtim në Turqi, e cila ka menaxhuar me sukses pandeminë.

“Turistët gjermanë janë shumë të mirëpritur. Të gjitha llojet e masave higjienike do të ndërmerren kundër COVID-19 që nga momenti kur turistët gjermanë të fillojnë udhëtimin e tyre. I gjithë stafi në Turqi garantohet të jetë i shëndetshëm dhe të gjitha lehtësimet mjekësore do të jenë të gatshme”, tha kryediplomati turk.

Thomas Bareiss, komisioneri gjerman për turizëm, gjithashtu tha për Der Spiegel se duhet të zbatohet një qasje e kujdesshme, por të lejohet udhëtimi i turistëve gjermanë në vendet që kanë luftuar me sukses coronavirusin dhe kanë ndërmarrë masat e nevojshme.

“Ne duhet të heqim paralajmërimet për udhëtim në vendet që dëshmojnë zhvillim pozitiv në drejtim të numrit të infeksioneve të reja dhe garantojnë mbrojtje të përshtatshme”, tha ai, duke shtuar se zgjatja e paralajmërimeve të udhëtimit për vende të tilla do të dëmtonte besueshmërinë e qeverisë gjermane në sytë e qytetarëve të saj.

Javën e kaluar, Berlini zyrtar vendosi të heqë paralajmërimin për udhëtim në vendet anëtare të BE-së, pavarësisht numrit të madh të rasteve aktive të COVID-19 në Francë, Spanjë, Itali dhe Belgjikë, ndërsa zgjati paralajmërimin për udhëtim në të gjitha vendet e tjera jashtë Evropës deri në fund të gushtit.

Operatorët kryesorë turistikë në Gjermani së fundmi i kanë bërë thirrje qeverisë të heqë paralajmërimin e udhëtimit edhe për vendet jashtë BE-së, si Turqia, të cilat kanë menaxhuar me sukses pandeminë.

Turqia është një nga destinacionet më të preferuara për pushuesit gjermanë.

Vitin e kaluar, rreth 5 milionë turistë gjermanë udhëtuan për në Turqi.

Të ngjashme