Turqia i ka shprehur ngushëllime Shqipërisë për personat që kanë humbur jetën nga tërmeti 6,4 ballë Rihter.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë thuhet se “me keqardhje të thellë mësuam lajmin për tërmetin në Shqipëri”.
“I përcjellim ngushëllimet tona të thella popullit shqiptar dhe familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre si pasojë e kësaj fatkeqësie. U urojmë gjithashtu shërim të shpejtë të plagosurve. Turqia ashtu si gjithmonë edhe në këtë fatkeqësi është pranë Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.
Më tej thuhet se nga Turqia do të mbërrijë me një avion ushtarak një ekip për kërkim dhe shpëtim dhe një ekip shëndetësor.
“Turqia e cila është në solidarizim të plotë me qeverinë dhe popullin shqiptar, është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë që është e nevojshme”, thuhet në deklaratë./atsh