Një burim në ministrinë e Jashtme të Turqisë ka thënë se janë të ekzagjeruara raportet se luftëtarët e Njësiteve për Mbrojtjen e Popullit (YPG) janë larguar plotësisht nga rajoni Manbixh i Sirisë, ndonëse largimi është duke vazhduar, transmeton Reuters.
Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar muajin e kaluar rreth Manbixhit, qytet në veri të Siri, pasi disa muajsh mosmarrëveshje.
Sipas paktit, Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG) do të largohen nga Manbixhi në mënyrë që forcat turke dhe ato amerikane të sigurojnë stabilitetin e qytetit.
Milicia që kontrollon këtë qytet ka thënë se luftëtarët e YPG-së, janë larguar të dielën pasi kanë kryer misionin e tyre. Edhe Këshilli Ushtarak i Manbixhit që kontrollon qytetin ka përsëritur se nuk kanë luftëtarë të Njësiteve në këtë qytet, përveç disa këshilltarëve.
Njësitet për Mbrojtjen e Popullit janë mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në luftimin e grupit militant, Shteti Islamik.
Kjo përkrahje ka zemrëruar Ankaranë, e cila e konsideron YPG-në si zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Kjo e fundit është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Turqia, pasi akuzohet për kryengritje me dekada në juglindje të Turqisë.