Turqia ka paralajmëruar se do të bllokojë pjesëmarrjen e Austrisë në stërvitjet e NATO-s. Kjo mund të ketë pasoja të rënda edhe për Kosovën.
Aleanca e NATO-s ka 28 vende anëtare dhe 22 vende partnere në Evropë. Austria si një vend neutral bën pjesë në grupin e vendeve partnere, të cilat mund të marrin pjesë edhe në manovrat dhe në misionet e NATO-s jashtë vendeve anëtare.
Por Turqia si anëtare e NATO-s ka paralajmëruar se me veto do të bllokojë pjesëmarrjen e Austrisë në stërvitjet dhe misione.
Hakmarrja për qëndrime politike
Turqia në këtë mënyrë do të hakmerret për kërkesat e shpeshta të Austrisë që Brukseli të ndërprejë bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian, si dhe kritikat e shpeshta të Vjenës ndaj politikës autokratike të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, njofton gazeta «Welt» (të martën).
Vendimi do të merret këto ditë në Bruksel, njofton gazeta, e cila i referohet burimeve diplomatike në NATO. Në këtë takim do të vendoset për raportin ndaj 41 vendeve partnere nga Evropa, Azia dhe ish-republikat sovjetike. Parashikohet që në të ardhmen të nënshkruhen marrëveshje të veçanta me secilin prej këtyre vendeve. Kjo do të thotë se Austria do të përjashtohej për disa muaj nga bashkëpunimi ushtarak që mund të ketë pasoja të rënda për disa misione.
Erdogani bllokon edhe misionin në Kosovë
Diplomatët pohojnë për mediat gjermane se “Presidenti turk Erdogan ka mundësi, për fat të keq, që ta izolojë Austrinë në NATO. Austria aktualisht është ndër vendet me kontingjent më të madh ushtarak në Kosovë. Ndaj qarqet e NATO-s tani shtrojnë pyetjen se çfarë do të ndodhë me pjesëmarrjen e Austrisë në misionin e KFOR-it në Kosovë, ku ajo aktualisht ka 400 ushtarë? A do të thotë kjo se Austria duhet t’i largojë menjëherë ushtarët nga Kosova?
Përgjigje konkrete deri tani nuk ka, por kjo me siguri që do të jetë një nga temat e rëndësishme dhe të hidhura edhe në takimin e ditës së enjte (25.05) me Presidentin amerikan Donald Trump në Bruksel.