Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot një delegacion të qytetit të Bursës nga Republika e Turqisë, të kryesuar nga zëvendëskryetari i këtij qyteti Abdulkadir Karlik, të shoqëruar nga Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kiliq.
Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin midis Turqisë e Kosovës në fushën e shëndetësisë, në mënyrë specifike për mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi edhe midis autoriteteve lokale turke me institucionet në Kosovë.
Ministri Rrahmani shprehu falënderimin për Republikën e Turqisë për bashkëpunimin e mirë në përmbushjen e Marrëveshjes pesë vjeçare për trajtimin për çdo vit të 100 pacientëve nga Kosova falas në Turqi, bashkëpunimin në realizimin e Javës shëndetësore Kosovë-Turqi dhe projekteve të tjera të përbashkëta që për synim kanë pasur mbështetjen e shëndetësisë në Kosovë nga ana e Turqisë.
Ambasadorja Kivilcim tha se Republika e Turqisë do të vazhdojë të mbështes shëndetësinë në Kosovë me qëllim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore, ndërkohë që theksoi se MSh mund të zhvillojë bashkëpunim edhe me komuna të ndryshme në Turqi si ajo e Bursës.
Nga ana e tij, zëvendëskryetari i Bursës, Abdulkadir Karlik, tha se në qytetin e Bursës çdo i dyti ose i treti banorë ka origjinë nga Ballkani që bën që ky qytet të këtë lidhje edhe historike dhe familjare me shumë qytetarë të Kosovës, kështu që duke shfrytëzuar raportet e mira midis shteteve, ai tha se mund të hapen mundësi të reja bashkëpunimi edhe në fushën e shëndetësisë.
Në takim është biseduar edhe për projektet që Republika e Turqisë është duke i mbështetur në Kosovë si ai për mjekimin intensive në QKUK, derisa pritet që së shpejti të organizohet edhe Jave tjetër e Shëndetësisë midis dy shteteve, një aktivitet ky tashmë tradicional i bashkëpunimit Kosovë –Turqi në shëndetësi.