Qëllimi kryesor i vizitave të Tuskut në kryeqendrat ballkanike janë përgatitjet për Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Sofje, më 17 maj.
Mesazhin që do të përcjellë Tusku e përmendi edhe në fjalimin e tij në Parlamentin Europian, ku deklaroi se Samiti në Sofje me krerët e shteteve ose qeverive të BE-së dhe udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, më 17 maj, duhet të ripohojë perspektivën europiane të rajonit dhe, më e rëndësishmja, duhet të përmirësojë, në terma konkretë, lidhjet me dhe brenda rajonit.
Tusk do të përfundojë udhëtimin e tij në Shkup, ku do të marrë pjesë në samitin e Brdo-Brionit.
Objektivi kryesor i këtij procesi është mbledhja e të gjithë presidentëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, si dhe Sllovenisë dhe Kroacisë, për të përforcuar dialogun politik, për të rritur nivelet e besimit dhe për të promovuar zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale.