Mbrëmë (e martë) është mbajtur nata e parë gjysmëfinale e Eurovision 2021.
Plot 18 shtete konkurruan në gjysmëfinale, me vetëm 10 prej tyre të cilat arritën në fund që të kualifikohen për në finalen e madhe, që mbahet këtë të shtunë më 22 maj.
Por në mesin e këtyre shteteve të kualifikuar mungon një shtet, pritshmëritë e të cilit ishin të mëdha.
Bëhet fjalë për Kroacinë, e cila në edicionin e sivjetmë të Eurovisionit, u përfaqësua nga këngëtarja Albina Grcic.
Albina ishte e 10-ta në konkurrim dhe nuk arriti të impresiononte aq sa duhet jurinë dhe publikun me këngën e saj “Tick-Tock” – ndonëse në rrjetet sociale kjo këngë ishte shpallur si ndër më të pëlqyerat dhe potenciale për të prekur finalen e madhe.
Me katër këngëtarë mbështetës meshkuj, 22-vjeçarja nga Spliti kishte veshur një veshje minimaliste në skenë, një kostum me ngjyrë argjendi, i cili e bëri të dukej mjaft tërheqëse para miliona spektatorëve.