Ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili është duke qëndruar në qendrën e paraburgimit në Hajvali, është futur në grevë urie. Avokati i tij, Tomë Gashi, ka thënë se arsye për futjen e Zharkut në grevë urie është përkeqësimi i cilësisë së ushqimit. Me këtë rast, Zharkun e kanë vizituar zyrtarë të Këshillit për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut
KMDLNj ka njoftuar përmes një komunikate se Zharku nuk është ankuar për stafin e qendrës së paraburgimit.
“Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë është informuar se i paraburgosuri Xhabir Zharku në Qendrën e Praburgimit në Prishtinë (Hajvali) është në grevë urie dhe se refuzon ushqimin për tre ( 3 ) ditë si pakënaqësi për cilësinë e ushqimit e sidomos për mangësitë e furnizimit në shitoren e Qendrës së Paraburgimit (kantinën e burgut). Gjatë takimit me KMDLNj, i paraburgosuri Xhabir Zharku nuk pati vërejtje për sjelljen e stafit dhe të drejtorit e që i vlerësoi si sjellje shumë korrekte dhe as nuk kishte ndonjë vërejtje të natyrës ligjore”, thuhet në komunikatë.
Tutje KMDLNj thotë se Zharku ka deklaruar se ushqimi ka qenë i mirë deri para dy muajve, por kohëve të fundit nuk është i tillë.
“Xhabir Zharku i deklaroi KMDLNj –së se ushqimi në këtë qendër deri para dy maujve ka qenë i mirë dhe cilësorë por se kohëve të fundit nuk është i tillë. Ai deklaroi se 70% e ushqimit u ndahet të burgosurve si ushqim i thatë dhe se nuk përshtatet me gjendjen shëndetësore të të privuarve nga liria”, thekson komunikata.
Komunikata e plotë e KMDLNj’së:
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë është informuar se i paraburgosuri Xhabir Zharku në Qendrën e Praburgimit në Prishtinë (Hajvali) është në grevë urie dhe se refuzon ushqimin për tre ( 3 ) ditë si pakënaqësi për cilësinë e ushqimit e sidomos për mangësitë e furnizimit në shitoren e Qendrës së Paraburgimit (kantinën e burgut). Gajtë takimit me KMDLNj, i paraburgosuri Xhabir Zharku nuk pati vërejtje për sjelljen e stafit dhe të drejtorit e që i vlerësoi si sjellje shumë korrekte dhe as nuk kishte ndonjë vërejtje të natyrës ligjore.
Xhabir Zharku i deklaroi KMDLNj –së se ushqimi në këtë qendër deri para dy maujve ka qenë i mirë dhe cilësorë por se kohëve të fundit nuk është i tillë. Ai deklaroi se 70% e ushqimit u ndahet të burgosurve si ushqim i thatë dhe se nuk përshtatet me gjendjen shëndetësore të të privuarve nga liria. Kishte vërejtje për furnizim nga shitorja e burgut e cila as përsëafërmi nuk i përmbush nevojat e të burgosurve sikur që edhe çmimet janë më të larta se në shitoret ku furnizohen qytetarët e Kosovës në liri. Pakot ushqimore nga familja janë të ndaluara dhe nuk është krijuar mundësia që ato gjera të blihen në shitoren e burgut.
KMDLNj i merr si të arsyeshme shqetësimet dhe vërejtjet e Xhabir Zharkut dhe të burgosurve tjerë sidomos për furnizim me gjëra ushqimore dhe higjienike nga shitorja e burgut. KMDLNj e pati kundërshtuar fuqishëm moslejimin e pakove familjare ushqimore por se nuk hasi në mirëkuptim te ata që e morën vendimin.
KMDLNj ka konsideruar dhe konsideron se çmimet e artikujve ushqimorë dhe higjienikë në shitoret e burgut duhet të jenë më të lira dhe se shteti duhet të subvencionojë prodhimet që shiten në burg. KMDLNj vlerëson se ushqimi që servohet për drekë është në përputhje me nevojat e personave të privuar nga liria, si në aspektin cilësorë ashtu edhe sasiorë por se për darkë duhet të bëhet si rregull të shërbehet së paku supa e cila nuk është e kushtueshme dhe u siguron të burgosurve ushqim të lëngshëm.
KMDLNj gjatë vizitave monitoruese ka vërejtur se gjithmonë ku ka mundësi dhe sipas rekomandimit të mjekut , të privuarve nga liria u servohet ushqimi përkatës.
Ndërkaq, sa i përket zëvendësimit të ushqimeve që janë ndaluar me pakot ushqimore KMDLNj vlerëson se nuk duhet të paraqes fare problem; kjo çështje zgjidhet gjatë kontraktimit të gjërave ushqimore dhe aty përfshihen psh. kavanozë me speca, ajvar, turshi të ndryshme dhe gjësende tjera, që pa të drejtë janë përjashtuar me pakon familjare. Edhe gatimet tradicionale mund të sigurohen përmes kontratave me furnizues të ndryshëm.
KMDLNj pati kërkuar që në mungesë të pakove familjare, furnizimi i shitores së burgut duhet t’i përshtatet nevojave të personave të privuar nga liria e jo intereseve të tenderëve të ndryshëm. Jo rrallë herë ka ndodhur që, pa fajin e drejtorëve dhe udhëheqësve të tjerë të institucioneve tëprivimit nga liria, për shkak të dështimit të tenderëve kanë munguar artikuj të ndryshëm duke e pësuar të privuarit nga liria dhe ata që drejtojnë këto institucione.
KMDLNj do të takojë drejtuesit e Shërbimit Korrektues për të diskutuar për shqetësimet e arsyeshme që i bëjnë të privuarit nga liria dhe për të gjetur mundësi për tejkalimin e tyre.