Një bandë shqiptarësh që merrej me trafikun e drogës është shkatërruar në Itali. Sipas mediave italiane, janë arrestuar pesë persona gjithsej, nga të cilët katër janë shqiptarë të moshave 31-41 vjeç, kurse njëri është tunizian. Ata operonin me shpërndarjen e kanabisit dhe heroinës në Verona, Cerea dhe Sona. Sicc bëhet me dije njëri shqiptar është kapur sapo ka zbritur në aeroportin e Veronas nga një linje ajrore që ishte nisur në Rinas.
“Menjëherë pasi zbriti në aeroportin e Veronas pasi kishte fluturuar me një avion nga Shqipëria, ai u kap nga forcat e Guardia di Finanzas, të cilët e dërguan në komisariat ku edhe do të vijohet me procedurat përkatëse”, raportojnë mediat lokale.
Nga përgjime, policia ka konstatuar gjuhën e koduar. Kur donin të flisnin për ndarjen dhe paketimin e drogës ata thonin “do vij ta pjek mishin në skarë”, ndërsa kur flisnin për sasinë e drogës thonin “a kushton shumë apo si zakonisht?”.
Këto arrestime janë bërë në kuadër të operacionit të mëparshëm të kryer në shtator të vitit 2021.