U pa me armë, tha se ishte lodër, bastiset shtëpia e 50-vjeçarit në Han të Elezit

Prishtinë | 13 Pri 2026 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Një incident që shkaktoi shqetësim te qytetarët ka ndodhur sot në Han të Elezit, ku një person është parë duke lëvizur me një armë në dorë. Rasti nxiti reagim të menjëhershëm të Policisë së Kosovës.

Sipas informacioneve zyrtare, njësitë patrulluese kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, me inicialet E.B., rreth 50 vjeç, banor i kësaj zone. Ai është intervistuar nga policia dhe ka dorëzuar mjetin që mbante.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka deklaruar se mjeti i dyshimtë përputhej me atë që shihej në videon e publikuar në media.

“Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë patrulluese të stacionit policor në Han të Elezit kanë bërë identifikimin e personit të dyshuar, i cili është intervistuar dhe ka dorëzuar mjetin e dyshimtë, i cili përputhet me atë që shihet në video”, ka thënë Veseli.

I dyshuari ka deklaruar se objekti në fjalë nuk ishte armë e vërtetë, por një lodër e djalit të tij tetëvjeçar.

“Personi ka sqaruar se mjeti është lodër e djalit të tij dhe se është i njëjti që kishte në dorë gjatë lëvizjes”, shtoi Veseli.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar, i cili ka autorizuar bastisjen e shtëpisë së të dyshuarit, me pëlqimin e tij. Gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë mjet tjetër i dyshimtë.

Me udhëzim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, ndërsa objekti është konfiskuar nga policia.

Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes dhe shmangie të situatave që mund të shkaktojnë panik te qytetarët, edhe në rastet kur bëhet fjalë për mjete lodër./teve1

Të ngjashme