U përfshi nga dallgët në det, vdes shqiptari në Kretë pas dy javësh në koma

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në ishullin e Kretës, në Greqi, 33-vjeçari me origjinë nga Peshkopia e Dibrës së Shqipërisë, Roland Sala, ka ndërruar jetë pas rreth dy javësh në koma, si pasojë e një incidenti tragjik në det.

Roland Sala, i cili jetonte prej vitesh në Angli, kishte udhëtuar drejt Kretës për të kaluar pushimet pranë familjarëve.

Sot, më 28 korrik, në orën 18:00, trupi i pajetë i Roland Salës do të niset nga Spitali i Rethimnos drejt Shqipërisë, për t’u përcjellë në banesën e fundit në vendlindje.

Lajmin e ka bërë ditur faqja e komiteti shqiptar që jetojnë në Rethimno.

“Komuniteti Shqiptar në Rethimno i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve për këtë humbje të rëndë. Lamtumirë, Roland Sala! Kujtimi yt do të mbetet i paharruar në zemrat e të gjithë atyre që të njohën. I qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë”, thuhet në mesazhin e komunitetit shqiptar në Rethimno.

Gjatë kohës sa po qëndronte në plazh në zonën e Rethimnos, i riu shqiptar u përfshi nga dallgët e detit dhe pësoi asfiksi.

Ai u nxor nga uji dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Rethimnos, ku për rreth dy javë qëndroi nën kujdesin intensiv të mjekëve, duke luftuar për jetën.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 33-vjeçari nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë, duke lënë pas dhimbje të madhe te familja, miqtë dhe komuniteti shqiptar në Kretë.

Të ngjashme