Deponia e Sferkës në qendër të diskutimit, Velija: Zgjidhja e problemit të mbeturinave nis me infrastrukturë moderne

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Menaxhimi i mbeturinave dhe e ardhmja e deponisë në Sferkë të Pejës ishin në fokus të një tryeze diskutimi të organizuar nga Syri i Vizionit, pas zjarrit që përfshiu këtë deponi pak ditë më parë, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, policisë dhe Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë diskutuan sfidat aktuale, nevojën për një strategji të integruar për menaxhimin e mbeturinave, si dhe projektet për ndërtimin e një deponie të re që synojnë të ofrojnë një zgjidhje afatgjatë për rajonin.

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, Dardan Velija tha se duhet krijuar një strategji për menaxhimin e mbeturinave në vend.

“Tash, problemi i mbeturinave i ka disa segmente. Deponitë janë hapi i fundit, deponitë sanitare janë hapi i fundit. Neve si shtet na duhet ta transformojmë rrënjësisht, të kemi një strategji shtetërore për menaxhimin e integruar të mbeturinave, e cila na obligon edhe na e tregon rrugën se si të ecet përpara, e cila është bërë në përputhje me standardet evropiane. Problemi i mbeturinave fillon te qytetari. Përshkallëzohet në gjendjen tonë në grumbullim si problem, dhe përfundon në deponi. Mes grumbullimit edhe deponimit do të duhej të kishte edhe një hap, që është trajtimi i mbeturinave, i cili te ne nuk ndodh ende. Tash, në qoftë se e bisedojmë në mënyrën më të thjeshtë e më të kuptueshme—të mundshme për të gjithë neve që po supozojmë nuk jemi ekspertë të menaxhimit të mbeturinave këtu—zgjidhja e meqë problemi fillon te qytetari, por zgjidhja nuk fillon te qytetari, fillon te deponia. Problemi duhet të fillojë të trajtohet me krijimin e një infrastrukture deponuese moderne të mbeturinave”, tha Velija.

Ndërsa, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj ka treguar për punën e zyrtarëve policorë në deponi, ku përveç zjarrit kishte edhe protesta nga qytetarët.

“Mirëpo ne si Polici e konsiderojmë se kemi bërë një bashkëpunim edhe sot edhe dje shumë të… shumë të mirë. E çka u cek edhe ju, fillimisht me sigurinë, pastaj në mbarëvajtjen edhe të menaxhimit, edhe të intervenimit edhe të zjarrfikësve aty. Kuptohet e cekën edhe përfaqësuesit, çështja domethënë rasti i zjarrit në deponi për fat të keq nuk mund të shuhet ose nuk mund të ketë trajtim trajtim të atij lloji për një ditë, mirëpo aty kanë intervenuar organet përkatëse, domethënë edhe kompania e mbeturinave, edhe zjarrfikësit e tjerë. Ajo situata ka qenë qetë, situata ka qenë në kontroll edhe thjesht, si në çdo rast tjetër për sigurinë e mbarëvajtjes edhe të mbarëvajtjes edhe në rastin konkret të pakënaqësisë së qytetarëve që kanë qenë aty, ne kemi qenë prezentë dhe misioni i ynë ka qenë që situata thjesht të mos devijojë ose të bëhet puna ose të vazhdojë angazhimi i institucioneve për kryerjen e realizimit të detyrave dhe punëve të tyre, në këtë rast të kompanisë ‘Ambienti'”, tha Jahmurataj.

Kurse, drejtori për Shërbime Publike, në komunë  e Pejës Agron Nikçi u shpreh se kanë pasur projekt me Bankën Zhvillimore Gjermane për ndërtimin e deponisë së re, por e cila pas sanksioneve ka ngelur pa u zhvilluar.

“Por më konkretisht, ne si komunë drejtori faktikisht, që nga viti 2020 kemi lidhur marrëveshje me qeverinë, ne kemi filluar me punën edhe me KFW-në domethënë, Bankën Zhvillimore Gjermane për ndërtimin e deponisë së re dhe mbylljen e deponisë së vjetër. Aty marrëveshja ka qenë në atë kohë që 9 milionë me u paguar prej Bankës Zhvillimore, 3 milionë ka pasur komuna. Atëherë edhe çmimet kanë qenë ndryshe edhe projektet kanë qenë pak ndryshe. Kështu që ne pas nënshkrimit të asaj marrëveshje, qeveria veç ka hyrë në sanksionet e BE-së edhe procesi ka ngelur aty për nja 4 ose 5 vjet rresht, derisa tash veçse u liruan këto masa ndaj ndaj qeverisë”, tha ai.

“Edhe ne menjëherë prapë kemi bërë marrëveshje të re me me KFW-në për transferin e 1 milion eurove të vetë dhe 2 milionë euro vitin e ardhshëm që i kemi tani në buxhet për ndërtimin e asaj deponie. Këtu kemi planifikuar edhe mbylljen e deponisë. Pas takimit që kemi pasur me zyrtarët e KFW-së, është në status që po bëhet ridizajnimi i kësaj i kësaj deponie ku do të rritet kapaciteti edhe do të zgjidhet problemi deri në vitin 2045-, nuk i kam shifrat e sakta. Por këtu më konkretisht mundemi me folur me KFW-në. Edhe ne jemi në proces të letrave të dokumentacionit si komunë, jemi duke kontribuar te përkthimi i parcelës, çdo gjë që na ka kërkuar gjithmonë kemi qenë gati me kontribuar. Ne e  kemi lutur që me e kryer atë, kemi shkruar për këtë gjë tek Mjedisi, Ministria e Mjedisit edhe te KFW-ja,  ne si komunë me i ndihmu 15 mijë euro si pako emergjente për ndërmarrjen. Jemi gati prapë, në bazë të diskutimeve të mëparshme me ndihmu”, shtoi Nikçi.

Të ngjashme