Dreshaj: Qindra kompani të sektorit të zhavorit dhe minierave presin licenca, rrezikojnë falimentimin

Prishtinë | 28 Kor 2026 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), Besart Dreshaj, ka ngritur shqetësimin për pasojat që, sipas tij, po i shkakton ekonomisë mungesa e formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke thënë se mbi 300 kompani nga sektori i zhavorrit dhe minierave presin licencat nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), raporton Ekonomia Online.

Dreshaj ka deklaruar se mungesa e vendimmarrjes institucionale ka bllokuar funksionimin e disa kompanive të mëdha, ndërsa një numër i tyre, sipas tij, janë në prag të falimentimit.

“Po për faktin që mungesa e formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës është shqetësuese edhe për ekonominë e Republikës së Kosovës. Si rezultat i mungesës së institucioneve, ne kemi sot bllokim të disa kompanive të mëdha, të cilat nuk po mund të funksionojnë në Republikën e Kosovës. Janë mbi 300 kompani të cilat presin nga ana e Minierave dhe Mineraleve të furnizohen me licencat e tyre dhe t’u vazhdohen licencat e tyre. Për fat të keq, Parlamenti i Republikës së Kosovës, në mungesë të formimit të institucioneve, nuk ka kush t’i marrë vendimet me të cilat do të pajiseshin këto kompani”, tha ai.

Sipas Dreshajt, problem mbetet edhe legjislacioni për pronën publike, i cili, siç tha ai, ka krijuar përplasje kompetencash ndërmjet institucioneve dhe ka pamundësuar vazhdimin e licencave për kompanitë.

“Njëkohësisht kemi legjislacionin, i cili është i papërfunduar sa i përket ligjit të pronës për ta shfrytëzuar dhe tani kemi probleme mes Agjencionit të Pyjeve, kemi probleme mes Minierave dhe Mineraleve dhe po ashtu kemi probleme mes ministrive përkatëse, sikurse është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Sepse Minierat dhe Mineralet thonë: ‘Ne, si bord, nuk kemi kompetencë t’i pajisim me licenca ose t’ua vazhdojmë licencat kompanive të cilat kanë aplikuar për t’i vazhduar licencat e tyre’, ndërsa Agjencioni i Pyjeve thotë: ‘Ne, me ligjin e ri, na janë marrë kompetencat dhe nuk kemi të drejtë t’ia japim dikujt pronën tani me negocim, por duhet të bëhet ankandi publik’. Ne e dimë situatën në të cilën gjendemi. Këto procedura i kemi kërkuar nga ana e grupit punues dhe, njëkohësisht, si Lidhje e Bizneseve iu kemi drejtuar edhe me një shkresë zyrtare, në të cilën kemi bërë disa rekomandime Komisionit Parlamentar, ku kemi kërkuar që duhet të bëhet plotësim-ndryshimi i Ligjit për Pronën Publike me numër 08/L-125 dhe kemi kërkuar që këto ndryshime, për shkak të të cilave kompanitë po përballen me barriera të njëpasnjëshme, duhet të bëhen dhe kompanitë të pajisen me licenca, sepse me të vërtetë është një dëm jashtëzakonisht i madh”, tha ai.

Dreshaj ka paralajmëruar se situata mund të çojë në mbylljen e kompanive, ndërsa ka kritikuar faktin që Kosova, sipas tij, po importon zhavor nga Serbia.

“Kemi të bëjmë me një numër tepër të madh kompanish, të cilat janë në prag të falimentimit e, për fat të keq, shteti i Republikës së Kosovës i ka bllokuar dhe nuk i pajis me licenca. Këto detyrohen të mbyllen, ndërsa ne importojmë zhavorr nga Serbia dhe kjo është e papranueshme dhe shqetësuese për Republikën e Kosovës. Në qoftë se ne nuk mund të prodhojmë ndonjë makineri të fuqishme ushtarake, atëherë kemi fuqi dhe kapacitete të prodhojmë zhavorr dhe jo të furnizohemi nga Serbia me zhavor”, tha ai.

Ai kërkoi nga partitë politike që të punojnë për formimin sa më të shpejtë të institucioneve dhe zgjidhjen e ngërçit politik, duke thënë se mungesa e institucioneve dhe legjislacionit po ndikon drejtpërdrejt në sektorin privat.

“Pra, takimet të cilat i zhvilluam dje me përfaqësuesit e sektorit të ndërtimit dhe sektorit të zhavorrit, ishin shqetësime jashtëzakonisht të mëdha të tyre, sepse gjendja ekonomike dhe gjendja në këta sektorë është tepër, tepër e rëndë. Andaj kërkojmë nga spektri politik që t’i formojë institucionet sa më parë, të zgjidhet ngërçi politik, sepse jo vetëm tre-katër muajt e fundit, por rreth dy vite në Republikën e Kosovës po përballemi me mungesë të legjislacionit dhe mungesë të formimit të institucioneve. Mund të themi se për dy vite nuk ka pasur asnjëherë vëmendje në aspektin e politikave që do të ndikonin në të bërit biznes në Republikën e Kosovës. Pra, mbi dy vite ne nuk kemi diskutuar për ndonjë pako fiskale, nuk kemi diskutuar për ndryshimin e legjislacionit, por kemi diskutuar vetëm se si të formohen institucionet dhe si të shpëtohet ekonomia”, tha ai.

Sipas tij, kompanitë e sektorit të përpunimit të zhavorrit janë përballur me humbje të mëdha financiare për shkak të ndërprerjes së veprimtarisë dhe mungesës së licencave.

“Pra, kjo është shqetësuese, sepse të gjitha kompanitë për të cilat po diskutojmë në fushën e përpunimit të zhavorrit janë kompani që kanë makineri tepër të rënda, të cilat kanë kosto jashtëzakonisht të madhe edhe të mirëmbajtjes. Po ashtu, të gjitha këto kompani po përballen me një numër tepër të madh problemesh dhe, mbi të gjitha, janë edhe me kredi në banka të ndryshme për ta zgjeruar biznesin e tyre. Tani kemi ardhur në një situatë kur këto kompani e kanë mbyllur veprimtarinë e tyre, sepse nuk kanë licencë për të vazhduar dhe asnjë institucion nuk po u jep përgjigje adekuate, sepse secili institucion thotë: ‘Unë nuk kam të drejtë të pajis me licencë pa u bërë vazhdimi i afatit të përdorimit të pronës’, ndërsa kur shkojmë te Agjencioni i Pyjeve, ai u thotë përfaqësuesve të gurthyesve të shoqatës se nuk mund ta japë ose ta vazhdojë afatin e përdorimit të pronës, përderisa legjislacioni në fuqi është i bllokuar dhe nuk mund të vazhdojë, sepse është në kundërshtim me ligjin në fuqi. Kështu që janë probleme pas problemeve, janë probleme të cilat ndërlidhen me njëra-tjetrën, secili institucion ia hedh problemin institucionit tjetër dhe tani kemi ardhur në një situatë kur, në mungesë të Parlamentit të Republikës së Kosovës, askush nuk mund të marrë vendime”, tha ai.

Të ngjashme