Atdhe Buja, menaxher i UBT CERT-it, në një intervistë për emsionin “Agora” në Radio Campus të UBT-së, ka thënë se UBT-ja është e gatshme ta mbështesë krijimin e CERT-it qeveritar të Republikës së Kosovës. Procesi, sipas tij, do të shkojë nëpërmjet votave, porse UBT, duke qenë e licencuar ndërkombëtarisht, do të jetë mundësi e madhe për përkrahje.
“Minimumi i votave është 2, por ne si UBT CERT, nga partnerët kemi fituar 5 vota. Tash, nëse CERT-i qeveritar i Kosovës ka nevojë për vota, atëherë si UBT, do të japim përkrahje”, ka theksuar Buja, ndërsa ka vijuar se kanë filluar punimet për anëtarësimin në Komitetin e Përgjithshëm, ku marrin pjesë të gjitha shtetet e fuqishme të botës. Buja ka folur edhe për sulmet kibernetike që ndodhin në botë, duke mos e përjashtuar as Kosovën nga ky mes.
Ai, pasi ka treguar se UBT e ka qendrën për siguri dhe privatësi, ka thënë se brenda asaj qendre është krijuar një division UBT CERT, që do merret me zgjidhjen e incidenteve në sigurinë kibernetike. Regjistrimin në organizatën ndërkombëtare si “Trusted introducer”, Buja e ka cilësuar si sukses shumë të madh të UBT CERT-it, i cili ka bërë që për herë të parë Republika e Kosovës të jetë e regjistruar në një organizatë të tillë.
Sipas tij, misioni dhe vizioni UBT CERT është pjesëmarrja përmes programeve të edukimit, ofrimit të rekomandimeve të mira në zgjidhjen e problemeve të kësaj natyre etj. Buja thotë se në kuadër të strategjisë së UBT CERT-it është edhe pjesa e promovimit të aktiviteteve dhe vetëdijesimit të qytetarëve për siguri kibernetike.
“Deri tashti kemi treguar sukses shumë të mirë në arenën ndërkombëtare. Kemi krijuar partneritet me CERT-e qeveritare, si me Republikën e Çekisë, Japoninë, Moldavinë, Maqedoninë, Shqipërinë etj. Synojmë që ta zgjerojmë bashkëpunimin”, tha Buja dhe shtoi se janë në komunikim edhe me CERT-in qeveritar të Koresë Jugore.
“Në planin tonë vjetor dinamik e kemi edhe pjesën e dhënies së rekomandimeve institucioneve publike dhe private. Jemi duke i punuar disa udhëzime, të cilat do t’i publikojmë dhe do t’ua japim falas institucioneve publike e private”, ka thënë menaxheri i UBT CERT-it, Buja, për të shtuar se duke u bazuar në standardet evropiane do të dizajnojnë politikat e nevojshme që mund të shfrytëzohen nga çdo qytetar i Kosovës, pavarësisht nga niveli.
Për qytetarët, gjithnjë sipas Bujës, do të paraqiten udhëzuesit dhe hapat që duhet të ndiqen gjatë shfletimit në internet, verifikimit të faqeve, paraqitjes së të dhënave private, ruajtjes së kodit etj.
“Për institucionet private e publike është një proces më ndryshe, sepse ata duhet të implementojnë mekanizmat brenda tyre, të cilat varësisht nga targeti, janë të kushtueshme”, ka thënë Buja derisa ka vlerësuar se vetëdijesimi i qytetarëve për këtë aspket është i mire, pasi që “prej ofruesve të internetit në Kosovë ekziston një monitorim shumë i mirë i sigurisë.
Megjithatë, ai tregon se ka pasur raste kur janë bërë pagesa në faqe të ndryshme të internetit, porse blerja është drejtuar diku tjetër – është vjedhur.
Muaji tetor, sipas Bujës, është për ndërgjegjësimin në siguri kibernetike.
“Në tetor u zhvillua partneriteti me CERT-in e Shqipërisë ALCERT. Kemi bashkorganizuar ‘Hacday Albania 2016’ në Tiranë, e cila ka zgjat tri ditë. Organizuam edhe ‘Hackday Kosova 2016’. Karasteristikë e ‘Hackday Kosova’ është se për herë të parë u organizua një infrastrukturë fizike, ku vendosëm mjetet e duhura: server, pajisje të reja etj., që kanë funksionuar me një rrjet të lokalizuar brenda UBT-së, pa rrezik për ndërhyrje të jashtme”, theksoi Buja. Ai tregoi edhe për garën në të cilën sipas tij kishte talentë të mirë, ndërsa lavdëroi përkrahjen e institucioneve të larta publike. Vlerëson gjithashtu partnerët e UBT-së, që kanë shprehur interesim të madh bashkëpunimi edhe në të ardhmen, në aspektin e zgjidhjes së problemeve për siguri kibernetike.
Tregon se së fundi kanë marrë edhe konfirmimin nga shteti i Rumanisë për bashkëpunim. Buja vë në pah se Plani strategjik është krijimi i ekipit të profesionistëve dhe se për momentin shfrytëzohen vetëm resurset e brendshme të UBT-së.
“Fushëveprimi po rritet e aktivitetet po zgjerohen. Deri tani i kemi mbuluar në mënyrë shumë të suksesshme. Hapësirat e UBT-së kanë bërë që studentët të përparojnë dhe të marrin praktikën e duhur. Unë, p. sh., kam pasur mundësi të pajisem me njohuri shumë të mira, në teori e praktikë”, ka spikatur Buja për të shtuar se janë në kontakt me organizatorët e garës ndërkombëtrae evropiane, në të cilën marrin pjesë 6 shtete: Spanja, Gjermania, Austria, Zvicra, Anglia dhe Rumania. Ai ka treguar se aktiviteti zgjat 2 deri 3 muaj, teksa shumica e detyrave kryhen përmes një platforme online. Për UBT CERT-in thekson se ka në plan identifikimin e një grupi që përballet në çdo aspekt me këto sfida dhe i cili do ta përfaqësojë Kosovën.
“‘Hackday Kosova’ do të jetë tradicionale, gjithnjë duke u pasuruar. Kemi në plan edhe realizimin e projekteve të ndryshme në të ardhmen si: nisja e procesit të anëtarësimit në organizatën ‘First’, zgjerimi i partneritetit etj. Po komunikojmë me partnerë, që të na vizitojnë e të mbajnë ligjërata për student. Do të mundohemi të shkëmbejmë sa më shumë eksperiencë me partnerët tonë për studentët, për qytetarët, për institucionet private dhe publike”, ka vijuar Buja, sipas të cilit . planifikohen konferenca të ndryshme, ofrim rekomandimesh për institucione private dhe publike, për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike etj. Po ashtu, ka bërë me dije se UBT CERT e ka faqen e internetit, në të cilën është ngritur një platformë digjitale, ku çdokush nga Kosova edhe jashtë saj, mund të raportojnë raste, të cilat ekipi i UBT-së mund t’i zgjidhë.