Me një atmosferë solemne dhe pjesëmarrje të përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, të biznesit, profesorëve e studentëve vendës e ndërkombëtarë, UBT-ja ka hapur edhe zyrtarisht Akademinë Ndërkombëtare Verore (ANV). Hapja është bërë në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan, kurse do të zgjasë deri më 15 korrik.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, a ka vlerësuar si të veçantë Akademinë e sivjetme, të pestën me radhë, pasi që sipas tij, po organizohet në përvjetorin e 15-të të themelimit të UBT-së, si institucion i arsimit të lartë privat në Kosovë.
Ai ia ka dhënë rëndësinë edhe më të madhe ANV-së për faktin se janë paraqitur për pjesëmarrje 500 studentë dhe 150 profesorë, vendës e ndërkombëtarë.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë e Kosovës, Besa Zogaj, ndërkaq, e ka vlerësuar UBT-në si institucionin e parë të arsimit të lartë, që ka sjellë në Kosovë programet më të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë, si Teknologjia Informative, Robotikën etj. Ka thënë për rektorin Hajrizi se pos në rrafshin akademik, ka kontribuar shumë edhe për barazinë gjinore në shkollim.
Akademinë e ka vlerësuar lart edhe zëvendësministri i Ministrisë për Integrime Evropiane, Ramadan Ilazi. Sipas këtij të fundit, Kosova tashti është në MSA, kurse programet e UBT-së, që janë në trend me zhvillimet evropiane, do ta bëjnë atë të ndihet më mirë në rrafshin e zhvillimit ekonomik.
Hapjen e AVN-së e ka përshëndetur dhe cilësuar si shumë të rëndësishme edhe profesori Andreas Dallegue.
Gjatë ditës, ndërkaq, fakultetet e UBT-së kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh në kuadër të Akademisë.