Në kohën kur bota, por edhe vendi ynë po vërshohet nga idetë e projektet e shumta, është shumë i nevojshëm një mekanizëm i cili e vërteton se ideja i takon një personi a grupi dhe e njëjta patentohet, me qëllim që të mos përvetësohet nga dikush tjetër.
Mbi këtë bazë, UBT ka themeluar Qendrën për Transferimin e Teknologjisë, si një rrugë për mbrojtjen dhe patentimin e dhjetëra ideve që çdo vit burojnë nga stafi dhe studentët e UBT-së, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate për medie nga UBT, misioni i TTC-së është që të sigurojë që idetë e mëdha, konceptet rreth produktit, shërbimet, proceset dhe shpikjet e reja, të gjejnë rrugën e tyre drejt publikut dhe që njerëzit të përfitojnë nga këto zgjidhje.
“Zyra arrin deri tek industria dhe komuniteti i biznesit, me qëllim të zhvillimit të partneriteteve të cilat i mundësojnë industrisë të përfitojnë nga mësimi, hulumtimi dhe infrastruktura udhëheqëse botërore, brenda UBT-së”.
Sipas UBT-së, TTC ndihmon që të zhvillohen strategji dhe plan pune për t’i sjellë idetë inovative në treg, ndihmon që të identifikohen momentet kryesore në rrugën e komercializimit, pastaj në identifikimin e subjekteve më të mira tregtare në industri për bashkëpunim, në identifikimin e partnerëve në ekosistemin sipërmarrës, si dhe ndihmon në strukturimin e marrëdhënieve formale, përfshirë marrëveshjet e licencimit dhe hulumtimet e sponsorizuara.