Me shtimin e numrit të studentëve për çdo vit të ri akademik, po ndodh edhe zgjerimi i infrastrukturës së UBT-së, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.
Ndërtimi i objekteve të reja dhe zgjerimi i hapësirave për mësim nëpër objektet ekzistuese, si pajisja me teknologji moderne, laboratorë të sofistikuar, parkingje të reja, hapësira të mëdha gjelbëruese etj., janë vetëm disa nga ndryshimet e bëra me fillimin e vitit të ri akademik – 2016/2017.
Në Kampusin Inovativ të UBT-së në Lipjan, i cili edhe ashtu është më cilësori në rajon për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionit, po ndërtohet objekt i ri me hapësirë prej 2700 metrash katrorë. Objekti i ri përmban hapësirë për zyrë të Rektoratit, për stafin akademik, hapësira rekreative për studentët, salla të mëdha mësimi etj. Do të përmbajë gjithashtu edhe hapësira rekreative, fusha sportive të futbollit, basketbollit, tenisit e volejbollit. Këto mundësi të afruara rrisin dëshirën e studentëve për të qenë sa më të lidhur me mësimin.
Punime po bëhen edhe për ridizajnimin e kuzhinave, nën projektimin dhe mbikëqyrjen e ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë. Pjesë të kuzhinës do të shfrytëzohen nga studentët e Shkencave të Ushqimit dhe të Bioteknologjisë, si laborator. Ata do të kenë mundësi ta përgatisin, testojnë dhe provojnë ushqimin.
Në Kampusin Inovativ janë shtuar edhe laboratorë të rinj, kurse laboratorët aktualë, përfshirë atë të Arkitekturës, Infermierisë, SHKI-së, Mekatronikës, Shkencave të Ushqimit, Inxhinierisë së Energjisë etj., janë plotësuar me aparaturë dhe mjete të reja.
Strategjia e UBT-së parasheh edhe objekte të reja, që do ta bëjnë edhe më të përshtatshëm studimin. Kujdes i veçantë i kushtohet literaturës për lexim.
Në kuadër të kësaj, krahas bibliotekës fizike, e cila ka mbi 200 000 libra, UBT është e anëtarësuar edhe në librarinë më të madhe online në botë “EBSCO”, ku studentët mund gjejnë libra të autorëve më të specializuar, fushash të ndryshme shkencore.
Sa i përket shtimit të infrastrukturës, është bërë edhe ridizajnimi i hapësirave në objektet ekzistuese. Në kampusin e UBT-së në Prishtinë, është shtuar një amfiteatër i ri, që studentët mos ta kenë vetëm një ligjërues, por disa sosh në të njëjtën kohë, ashtu që edhe informatat të merren më të zgjeruara. Janë riorganizuar edhe zyrat për të gjithë stafin akademik, të pajisura me kompjuterë dhe elemente të tjera të nevojshme për vendin e punës. Janë ngritur edhe kapacitetet që lidhen me teknologjinë informative. Është lansuar rrjeti i ri i internetit, me kapacitet të madh, që përballon shfrytëzimin e njëkohshëm të krejt stafit dhe studentëve.
Po ashtu, është realizuar edhe shpërndarja e të dhënave (databazave) në pika të ndryshme, që funksionojnë dhe që nuk bllokohen edhe në rastet më ekstreme të katastrofave natyrore.
Vlen të përmendet që, këtë vit, janë akredituar edhe qendrat e UBT-së në Ferizaj dhe në Prizren, të cilat janë funksionalizuar menjëherë, falë infrastrukturës së re e të sofistikuar, që i plotësojnë të gjitha kushtet për realizimin e procesit mësimor.