Bëhuni Hakerë të bardhë”, është porosia që rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi ua ka bërë garuesve të rinj, hakerë nga Kosova e rajoni, pjesëmarrës në aktivitetin e UBT-së, saktësisht të UBT-CERT-it “HackDay Kosova 2016”, që ka filluar nga sot në Kampusin Inovativ në Lipjan, ndërsa do të përfundojë nesër.
Duke folur për rëndësinë e organizimit, rektori Hajrizi ka thënë se tashti është kohë e digjitalizimit, kur del në pah elementi i sigurisë kibernetike.
“Në këtë rast, ne si institucion i arsimit të lartë , gjithmonë e kemi pasur parasysh përgjegjësinë tonë për të gjeneruar kompetenca edukimi dhe dije në këtë fushë. Ne po mundohemi që të kryejmë obligimin tonë, së pari duke ofruar studime në nivelin bachelor dhe master e pastaj edhe me inovacione të tjera”, ka thënë rektori Hajrizi. Rektori e ka cilësuar aktivitetin si arritje shumë të madhe për UBT-në, pasi që studentët kanë filluar të specializohen.
“Ne e kemi parë të arsyeshme që për siguri kibernetike të marrim model nga një projekt norvegjez, që ka ndërlidhur të gjitha palët e interesit për njohuri në këtë fushë”, theksoi Harjizi, sipas të cilit në fazën e parë të plani përfshihet funksionalizimi.
“Qëllimi është që kjo garë të bëhet tradicionale, sepse si interesim i parë i UBT-së janë studentët tanë të shumtë në numër, në Fakultetin e Shkencave kompjuterike”, ka vijuar rektori, teksa dy ditët e aktivitetit “HackDay Kosova 2016” i ka cilësuar interesante, pasi që sipas tij “do të bëhen simulime, të cilat do të jenë në interes, jo vetëm të industrisë, por edhe për institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare”.
Edhe drejtori i Përgjithshëm në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në nivel të Qeverisë së Kosovës, Kujtim Gashi, e ka vlerësuar lart aktivitetin e organizuar në UBT.
“UBT është lider për Teknologjinë Informative”, është shprehur tutje ai, duke përmendur faktin se edhe liderët më të mëdhenj botëror, si sfidë të madhe e shohin sigurinë kibernetike.
Menaxheri i UBT-CERT-it, Atdhe Buja, ndërkaq, ka bërë të ditur se pjesëmarrës në aktivitet ka studentë nga Kosova e rajoni, teksa në ditën e parë do të zhvillohet gara midis hakerëve, kurse në ditën e dytë do të ndahen certifikate dhe shpërblime për fituesit.