UBT organizoi ceremoni për nder të 11-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Prishtinë | 15 Shk 2019 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Më 17 shkurt bëhen 11 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe UBT e shënon këtë ditë si më të rëndësishmen në kalendarin e festave historike.

Për t’i dhënë madhështinë që e meriton, UBT për nder të kësaj feste shtetërore ka organizuar një ceremoni në të cilën morën pjesë studentë e profesorë të UBT-së, si dhe të ftuar nga universitete partnere.

Organizimi nisi me videon promovuese për Kosovën, e cila është përgatitur nga Media Group-i i UBT-së, ku u prezantua rrugëtimi i Kosovës deri tek pavarësia, si dhe kontributi i UBT-së për zhvillimin, promovimin dhe përfaqësimin e denjë të Kosovës kudo në botë.

Nën emocionet e kësaj videoje, rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi kujtoi rrugëtimin e Kosovës dhe nivelin e lartë të përgjegjësisë që UBT e pati përgjatë gjithë këtyre viteve, me qëllim që Kosovës t’i krijonte imazh sa më pozitiv në botë.

“Motivimi për të cilin është themeluar UBT është ndikimi që një institucion akademik duhej dhënë për ndërtimin e shtetit tonë.  UBT është nder dhe krenari për Kosovën. Ne kemi punuar me shpirt dhe me plot energji pozitive që imazhi i Kosovës të përmirësohet, e do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë që shtetin tonë ta përfaqësojmë denjësisht dhe të rinjtë tanë të ndjehen me fat dhe krenarë që janë nga Kosova”, tha Hajrizi.

Ai përmendi edhe nivelin e lartë të kompetencave që të rinjtë kosovarë i kanë formuar përgjatë viteve të studimit në UBT, teksa përmendi edhe 189 studentë që janë bursistë vetëm gjatë vitit të kaluar akademik.

“UBT po krijon kuadrot më profesionale të vendit, dhe gjithsesi që në tërë këtë rrugëtim studentët tanë nuk kanë     qenë dhe nuk janë të vetëm, kjo sepse ne u kemi kursyer familjeve kosovare rreth 1 milion e 400 mijë euro përmes ofrimit të bursave për fëmijët e tyre dhe për studentët e Kosovës”, tregoi ai.

Drejtori për Çështje Akademike në UBT, prof. dr Muhamet Ahmeti përmendi sakrificat nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës për të jetësuar ëndrrën e çdo gjenerate, që është pavarësimi i vendit.

“Populli i Kosovës ka vuajtur shumë për të arritur sot deri në këtë ditë, andaj gjithmonë është momenti që të kujtojmë qytetarët më të mirë të këtij vendi, të cilët kanë flijuar edhe veten e tyre për lirinë e vendit”, vlerësoi Ahmeti.

Për nder të po kësaj dite, në emër të UBT-së, rektori Hajrizi ndau edhe Çmimin “Excellence Leadership Award” për ekspertin e cilësisë, Andreas Dalluege, me qëllim që të nderohet kontributi dhe performanca e tij si lider në zhvillimin e cilësisë në edukim, biznes, teknologji dhe inovacion, duke veçuar ndihmën që po i jep UBT-së në këtë rrugëtim.

I nderuar për marrjen e këtij Çmimi, Dalluege potencoi se tash ndjehet edhe më i obliguar që të ndihmojë UBT-në dhe Kosovën në arritjen e shkallës më të lartë të cilësisë në të gjitha fushat.

UBT feston dhe organizon çdo vit ceremoni për nder të Pavarësisë së Kosovës, që shërben si një ditë reflektimi mbi të arriturat dhe kontributin e UBT-së në ngritjen e cilësisë akademike, sukseset e institucionit dhe të studentëve, anëtarësimin nëpër organizata të njohura ndërkombëtare, si dhe punën e bërë në përfaqësimin dhe ngritjen e imazhit të Kosovës në botë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme