UBT, si lider rajonal në fushën Shkencave Kompjuterike, Sistemeve të informacionit etj, ka marrë përsipër organizimin dhe mbarëvajtjen e aktivitetit të rëndësishëm dedikuar sigurisë kibernetike, “HackDay Kosova 2016”.
Aktiviteti dyditor do të mbahet në Prishtinë në datat 25 dhe 26 nëntor, nën kujdesin e UBT-CERT.
Siguria kibernetike, një nga fushat më të rëndësishme për mbrojtjen e sistemeve të informacionit, ndihmon institucionet shoqërore, kompanitë dhe bizneset nga sulmet e mundshme kibernetike, që mund të krijojnë humbje të mëdha materiale dhe financiare. Madje, mund të ndikojnë edhe në çrregullime të mëdha të sigurisë shoqërore.
UBT është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë i cili njihet ndërkombëtarisht me divizionin CERT. Kjo është hera e parë që UBT-CERT organizon “HackDay Kosova 2016.”
Ky aktivitet, krahas mesazhit ndërgjegjësues që bartë në vetvete për sigurinë kibernetike në shtetin e Kosovës, zhvillon edhe garën kibernetike ku marrin pjesë hakerë nga i gjithë rajoni.
UBT-CERT është një ekip me misionin e vetëm të ndërgjegjësimit rreth sigurisë kibernetike të qytetarëve dhe mbarë komunitetit të TIK-ut, drejt sfidave që përfaqëson perceptimi i kërcënimeve apo sulmeve kibernetike, duke promovuar të dhëna dhe informacione, edukim dhe shpërndarje të praktikave më të mira.
Organizimi ndërlidh dy strategji të përpiluara nga agjenci e institucione të ndryshme ndërkombëtare: e para ka të bëjë me aktivitetet teknike të vlerësimit të sigurisë së sistemeve të informacionit nga grupet pjesëmarrëse, në një infrastrukturë të improvizuar për realizimin e ushtrimit dhe, e dyta, ka të bëjë me pjesëmarrjen e individëve me përvojë në fushën e sigurisë së informacionit, duke përfshirë partnerët e CERT dhe institucionet e tjera, aktiviteti i të cilëve është i orientuar nga siguria e informacioneve.