Në kuadër të partneritetit që UBT-ja i ka krijuar me rreth 250 universitete ndërkombëtare, një delegacion nga Universiteti dhe Shkolla Profesionale për Hotelieri e Turizëm, nga Salzburgu i Austrisë, në UBT, është pritur nga rektori, Edmond Hajrizi.
Përfaqësueset nga kjo shkollë: Eva Brucker – dekane e Institutit të Turizmit dhe Menaxhimit të Hotelerisë e Gabriele Tischler – shefe e Programit për Inovacion dhe Menaxhment të Turizmit, kanë shkëmbyer informacione me rektorin Hajrizi për njohje të ndërsjella të diplomave, për përgatitjen e kurrikulave të përbashkëta, shkëmbimin e stafit akademik dhe të studentëve, për mundësinë e aplikimit të përbashkët për akreditim programesh etj.
Përfaqësueset nga Shkolla e Salzburgut për Hotelieri e Turizëm, para takimit me rektorin Hajrizi i kanë bërë një vizitë Kampusit Inovativ, në Lipjan.
Mysafiret nga Austria e kanë njoftuar rektorin, Edmond Hajrizi, për aktivitetet në Shkollën e Hotelerisë dhe të Turizmit në Salzburg. Kanë njoftuar edhe për programet që shkolla e tyre ofron, duke qenë me përvojë unike profesionale.
Shkolla e Turizmit në Salzburg ka më shumë se 15 mijë studentë nga 150 vende të ndryshme të botës dhe është një nga shkollat më të fuqishme në Austri dhe Evropë, në rrafshin e hotelerisë dhe turizmit.