Në një fjalim të mbajtur në fund të viteve ’30, burrështetasi britanik Austen Chamberlain e përmendi një mallkim kinez, të cilin e kishte mësuar nga një diplomat britanik që kishte shërbyer në Azi. Mallkimi mori formën intriguese të thënies: të rroni në kohëra interesante, shkruan sot Koha Ditore.
“Nuk ka dyshim që na ka zënë mallkimi. Po kalojmë nga njëra krizë në tjetrën. E vuajmë një rrëmujë dhe shokohemi menjëherë me tjetrën”, citohet britaniku në fjalën e kuratorit të Bienales së Venecias.
Mallkimi s’e ka lëshuar botën as pas gati 90 vjetësh. Krizat e rrëmuja bashkëjetojnë në ditët moderne. Arti kontemporan gjëllin bash prej tyre. Në një hapësirë gjigante të qytetit të mbi 100 ishujve, arti është udhërrëfyes se si të jetohet në këto kohë të pazakonta.
Ngjarja më e madhe e artit pamor, e hapur më 11 të këtij muaji, në Arsenale e Giardini të Venecias, zbërthen aspektet e ekzistencës njerëzore, duke u bërë nikoqire e 90 shteteve. Ekspozita është pasqyrë e kërcënimeve e preokupimeve të kohës. Artistët janë protagonistë që rrëfejnë. Ata edhe udhëzojnë.