Forma e përkryer e Barcelonës dhe Real Madridit në start të sezonit në La Ligën spanjolle pritet të vihet në test të vështirë pasi të shtunën, që të dyja ekipet udhëtojnë tek ekipet baske.
Barcelona do ta vizitojë Real Sociedadin të shtunën në orën 16:15, kurse Real Madridi i shkon Athletic Bilbaos në po të njëjtën ditë nga ora 20:45, ndeshje këto që kanë treguar edhe më parë që janë ndër më të vështirat në dekadën e fundit, transmeton Sporti në KTV.
Kampionia në fuqi, Barcelona, ka shënuar 12 gola në tri fitoret e para në ligë, por e ka marrë vetëm një fitore në tetë vizitat e fundit në kampionat në stadiumin “Anoeta” të Sociedadit, ndërsa në janar të këtij viti me fitoren 4:2, Barca e ndali serinë e 11-të vjetëve pa fitore në këtë stadium.
Barcelona në përgjithësi ka probleme në ndeshjen e parë pas pushimit të përfaqësueseve, por kësaj radhe mund të kenë fuqi shtesë, pasi ylli Lionel Messi, nuk ishte pjesë e Argjentinës në miqësoret e fundit, dhe Gerard Pique u pensionua nga Përfaqësuesja e Spanjës.
Real Madridi vitin e kaluar barazoi pa gola në “San Mames” të Bilbaos dhe i ka fituar vetëm dy nga pesë vizitat e fundit në ligë në atë tokë që kur u ndërtua në vitin 2013-të. Këtë sezon madrilenët do të përballen me të njëjtën atmosferë të zjarrtë, dhe e kërkojnë fitoren e katërt rresht pasi e mposhti në fillim të sezonit Getafen, Gironan dhe Leganesin.
Në këtë ndeshje për Realin mund të luajë Dani Ceballos, i cili pati paraqitje të shkëlqyer kundër Kroacisë ku Spanja fitoi 6:0 të martën, e në formacion pritet të jetë edhe Marco Asensio pasi pati rol në pesë golat kundër Kroacisë. Gareth Bale synon vazhdimin e formës së mirë në shënimin e golave në gjashtë ndeshje rresht në La Liga, e së fundmi realizoi gol tejet të bukur me Uellsin në fitoren 4:1 kundër Republikës së Irlandës.