Ujërat e ngrohjes qendrore të Spitalit të Pejës që derdhen në kanalin e ujërave atmosferikë dhe të ujitjes po shkaktojnë ndotje dhe kundërmim. Banorët në atë pjesë të lagjes te spitali disa herë e kanë ngritur këtë shqetësim te menaxhmenti i spitalit, por deri tashti nuk është ndaluar rrjedha në atë kanal e ujit të ndotur nga mazuti.
“Me gjithë ankesat e bëra si komunitet, për ta eliminuar ndotjen, nuk ka ndodhur asgjë. Nga spitali gjithnjë na është thënë se vitin e ardhshëm e rregullojmë. Mirëpo, derdhja e ujit të ndotur në këtë kanal të hapur po vazhdon dhe nuk e di pse dhe nga çka po ndodh kjo ndotje. Por këto që shihen në kanal janë mbetje të mazutit që po përdorët si lëndë djegëse për ngrohjen qendrore”, ngre shqetësimet e banorëve dhe të tij ambientalisti, Xhevdet Belegu, që jeton në atë lagje afër spitalit.
Në këtë gjendje me ujë të ndotur, siç thotë Belegu, kanali nuk është duke paraqitur rrezik vetëm për atë lagje nga kundërmimi, por më tepër edhe për parcelat bujqësore në rrafshin e Pejës, pasi ujërat e atij kanali derdhen në kanale të ujitjes.
“Ky kanal lidhet poshtë në qytet me kanalin e Çokolicës. Dhe aty në atë vend ndahen kanalet. Njëri derdhet në lumë në qendër të qytetit dhe kanali tjetër poshtë bashkohet me kanalet e ujitjes, që ujisin parcelat e 5 fshatrave të fushës së Pejës. Ne si lagje nuk na shkakton aq problem kundërmimi, por ndotja e madhe po i shkatërron parcelat që ujiten me ujë të ndotur”, shprehet Belegu.