Kievi zyrtar paralajmëron një njohje të mundshme të shtetit të Kosovës. Paralajmërimi është bërë nga zëvendësministri i Jashtëm ukrainas, Vasyl Bodnar, i cili ndodhet për një vizitë në Shqipëri me rastin e hapjes së Ambasadës së Ukrainës në Tiranë. Sipas zëvendësministrit të Jashtëm të Ukrainës, nuk duhet të bëhen paralele mes Kosovës dhe Krimesë pasi, sipas tij, janë dy gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.
“Tradicionalisht ne kemi qenë të vendosur për sovranitetin territorial të vendit. Ky është një parim i yni. Por, për ne nuk ka një paralele mes Kosovës e Krimesë. Kjo për shkak se rasti i Kosovës është diçka dhe ai i Krimesë është diçka tjetër. Në rastin e Kosovës kemi një vend që është njohur nga një numër i caktuar shtetesh dhe në rastin e Krimesë flitet për një territor që është marrë me forcë nga Rusia. Pra, nuk është një çështje e thjeshtë. Ne nuk e kemi njohur Kosovën formalisht, por nëse sheh hapat tanë ka diçka. Vitin e kaluar ne morëm vendimin për të punuar me pasaportat e Kosovës. Tani ambasadori ynë këtu (Tiranë) dhe ambasadorët në vende të tjera të botës kanë marrë direktiva për t’i njohur këto pasaporta dhe për të mos limituar udhëtimet. Ndoshta duke filluar nga hapa të tillë të vegjël mund të shkojmë drejt disa rezultateve. Nuk po flas për një perspektivë të caktuar, pasi pozicioni ynë formal. Pra, na duhet ta trajtojmë këtë rast në rrethanat ku ndodhemi”, tha Vasyl Bodnar në Tiranë, shkruan KOHA Ditore.
Në janar të këtij viti Ukraina njoftoi përmes ministrit të Jashtëm, Vadym Prystaiko, se do të hapë ambasadën në Tiranë. Ai e tha këtë në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin shqiptar Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i përgjithshëm i OSBE-së, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kiev. Ministri Jashtëm, Vadym Prystaiko, gjithashtu tha se pret që ky vit të jetë një “vit i lulëzimit” të marrëdhënieve midis Ukrainës dhe Shqipërisë. Hapja e Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri u bë realitet në fillim të shtatorit të këtij viti, ku ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, ia paraqiti letrat kredenciale presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Gjatë këtij viti marrëdhëniet bilaterale Shqipëri-Ukrainë njohën një zhvillim të rëndësishëm, me hapjen e misionit diplomatik shqiptar në Kiev dhe hapjen e Ambasadës së Ukrainës në Tiranë. Këta hapa, në përvjetorin e 27-të të marrëdhënieve diplomatike, shënuan një zhvillim të ri në fuqizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis të dy vendeve. Për sa i përket aneksimit të Krimesë nga Rusia, Shqipëria ka mbajtur një pozicion të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, në të njëjtën linjë me pozicionin e BE-së dhe të SHBA-së.