Kryetari i partisë së presidentit ukrainas, Oleksandr Korniienko, tha të mërkurën se Rusia mund të jetë prapa tentim-vrasjes së ndihmësit kryesor të Zelenskiyt.
“Gjurmët ruse nuk duhet të përjashtohen në mënyrë absolute. Ne e dimë aftësinë e tyre për të organizuar sulme terroriste në shtete të ndryshme”, tha Korniienko para gazetarëve.
Sulmues të panjohur hapën zjarr në drejtim të veturës me të cilën po udhëtonte Serhiy Shefir, ndihmës i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, duke e lënë të lënduar vozitësin.
Policia tha se mbi dhjetë plumba e kanë goditur veturën e ndihmësit gjatë sulmit që ndodhi rreth orës 10 të mëngjesit të së mërkurës në fshatin Lisnykiy, në periferi të Kievit.
Në deklaratën e policisë nuk u tregua për gjendjen e vozitësit të plagosur. Për fat të mirë, në veturë nuk kishte persona të tjerë pos vozitësit dhe ndihmësit.
Ndryshe, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, këto ditë po qëndron në Shtetet e Bashkuara, ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.