Qyteti i Skenderajt është një nga qytetet më të prekura nga vërshimet e djeshmit, që erdhën si pasojë e të reshurave të rrëmbyshme të shiut.
Një ditë më pas, pasojat e vërshimeve që shkaktuan dëme sidomos përgjatë brigjeve të lumit “Klina”, janë evidente, sikur shihen dhe në pamjet e Ekonomia Online.
Të premten janë parë ekskavatorë dhe punëtorë të pastrimit, duke pastruar shtratin e lumit dhe rrugët e këtij qyteti.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë të ditur që si pasojë e vërshimeve janë evakuuar rreth 120 familje.
Ai ka bërë të ditur se të gjithë janë akomoduar te të afërmit e tyre dhe nuk ka pasur nevojë për akomodim nga ana e institucioneve të komunës.
Por, familjet e evakuuara kanë kërkuar ndihmë me gjëra elementare, ushqime e veshmbathje.
Dëmet janë më së shumti në infrastrukturën rrugore, janë disa ura të shkatërruara, si dhe ka probleme me energji elektrike sepse janë dëmtuar trafot.
Kryetari i komunës, Fadil Nura, ka mbledhur të premten Bordin e Drejtorëve duke marrë vendim që të themelojë 11 komisione komunale për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
“Duke iu përgjigjur situatës së krijuar pas të reshurave të pandërprera, që kanë shkaktuar vërshime dhe dëme të konsiderueshme materiale, kryetari i Komunës, Fadil Nura dhe nënkryetari Sami Lushtaku, në takimin e sotëm në orët e hershme të mëngjesit me Bordin e Drejtorëve, kanë marrë vendim që të themelojnë 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë secili, të cilët menjëherë do të dalin në teren për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.