Disa markete e kthejnë çmimin e vajit si para “krizës”, pas ndëshkimit nga Inspektorati

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 17:05 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti i marketeve “Viva Fresh Store”, e cila gjatë ditës së djeshme rriti çmimin e vajit ushqimor, bashkë me disa markete të tjera, sot e ka kthyer nën 2 euro çmimin e këtij produkti bazik, dhe që po duket të jetë shumë i kërkuar nga familjet kosovare.

Lexuesit e Ekonomia Online kanë dërguar fotografi, ku shihet se vaji ushqimor në një nga marketet e “Viva Fresh Store” sot kushton 1,95 euro.

Dje ky çmim kishte shkuar në 3 euro e 49 centë.

Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte reaguar dje gjatë një vizitës në fabrikën e vajit “Floil” në Gjilan, duke e quajtur këtë si një “fryrje artificiale e çmimeve”, me qëllim të dëmtimit të konsumatorëve.

“Nuk është 3,5 euro, por 3,49”, kishte vërejtur ai, duke ngritur dyshime se çmimet ishin të vendosura në marrëveshje mes marketeve.  

E në mbrëmje Inspektorati i Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Departamentit për Hetimin e Krimeve Ekonomike në kuadër të Policisë së Kosovës, ia kishin mësyrë depos qendrore të “Viva Fresh Store” në Graçanicë. Me këtë rast, është gjetur një sasi prej rreth 1 mijë litrash vaj për të cilin ka munguar dokumentacioni.

“3.49 euro për një shishe vaj është rritje artificiale. Nuk e lejojmë zhvatjen. E kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë e përfitojnë në emër të krizës”, thuhej në postimin e Kurtit, bërë në orët e vona.

Por, ka disa markete që po vazhdojnë të mbajnë çmime ende të larta (megjithëse jo 3.49 euro për litër)

Në marketit “Eliab”, sipas fotografive të siguruara nga EO, një litër vaji nga kompania vendore “Floil” kushtonte 2 euro e 29 centë. Për më tepër, aty shkruan se “sasia është e limituar”.

Të ngjashme