Prishtina deri në gusht me 13 pika orientuese për turistë

Prishtinë | 29 Maj 2018 | 08:54 | Nga

Për të parën herë Prishtina do të bëhet me panele turistike që do të shërbejnë për orientim të turistëve. Trembëdhjetë panele të tilla do të vendosen nëpër pika kryesore turistike të kryeqytetit, bashkë me tabela informuese.

Muaji gusht është dhënë si afat i parë për finalizimin e këtij pilot-projekti. Lajmin e kanë bërë publik zyrtarë të Komunës së Prishtinës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pak ditë më parë Kosova u përfshi në listën e destinacioneve që sugjerohen të vizitohen gjatë vitit 2018. Ekspertët e “Lonely Planet” – autoritet botëror i turizmit dhe publikuesi më i madh në botë i guidave të udhëtimit – e kanë eksploruar secilën pjesë të Evropës në kërkim të “pikave më të nxehta” për 2018-n dhe në mes dhjetë vendeve që kanë sugjeruar të vizitohen krahas Kosovës është edhe Tirana e Shqipërisë.

Se “Prishtina turistike po merr formë”, njoftoi të hënën nëpërmjet rrjetit social Facebook Yll Rugova, drejtor i Departamentit për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prishtinës.

“Kështu do të duken panelet turistike për orientim në Prishtinë. Në kuadër të këtij pilot-projekti do të vendosim fillimisht 13 sosh nëpër pikat kryesore turistike të qytetit, së bashku edhe me tabelat e tjera informuese shtesë. Ekipi që po mbështetet nga “Swiss Contact”, “CHwB” dhe një ekip për narrativën e qytetit është duke punuar në përpilimin e teksteve. Diku në muajin gusht po shpresojmë se do të jenë gati”, ka përshkruar Rugova, duke postuar formën e panelit që do të vendoset në sheshin “Zahir Pajaziti” .

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme