Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në Kosovë, me agjencitë, fondet dhe programet e veta, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës organizoi “Forumin e Diskutimit mbi Zhvillimin e Qëndrueshëm”. Forumi do të promovojë bashkëpunimin rajonal, me mbështetjen e Zyrës rajonale të UNDP-së në Stamboll.
Ky forum ka për qëllim të eksplorojë mundësi të reja për të ndërtuar partneritete dhe për të identifikuar sinergjitë midis politikave kombëtare, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ) dhe aspiratat e Kosovës për pranim në Bashkimin Evropian (BE).
Kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa gjatë fjalës së tij theksoi se edhe Kosova me 80 vende të tjera të botës është e përfshirë në formësimin e objektivave botërore për 10 deri në 15 vitet e ardhshme duke theksuar se kjo është hera e parë që Kosova ka hyrë në këtë proces të rëndësishëm me përmasa globale duke mbështetur dhe dizajnuar këto objektiva deri në vitin 2030.
Ai theksoi se përpjekjet e Kosovës për të arritur këtë axhendë ambicioze jo vetëm që mund ta sjellin vendin më afër BE-së por gjithashtu është një mundësi shumë e rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm, për zhvillim ekonomik, social dhe mjedisor.
“Përmes kësaj axhende ne kemi adresuar eliminimin e varfërisë paralelisht me një program dhe plan për rritje ekonomike në periudhën e ardhshme. Ky plan do të adresojë nevojat sociale të popullsisë veçmas çështjet e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale dhe problemin e papunësisë dhe punësimit”, tha Mustafa.
Andrew Russell, Koordinator për Zhvillim i OKB-së dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, gjatë fjalës së tij theksoi se objektivat zhvillimore të qëndrueshmërisë së UNDP-së, janë adoptuar si udhëzime të axhendës me 17 objektiva zhvillimore të qëndrueshmërisë.
Ai theksoi se kjo axhendë është aprovuar nga tërë bota dhe se mijëra kosovarë kanë marrë pjesë në zhvillimin e këtyre objektivave ku përfshihet procesi i punësimit, qasja në shëndetësi, krijimi i një të ardhmeje për fëmijët dhe fuqizimi i rolit të grave në shoqëri.
Ndërsa, shefi i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa bëri të ditur se objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm janë bazë e politikave të BE-së dhe bazë e mbështetjes së BE-së ndaj shteteve të tjera. Ai theksoi se BE-ja e ka formësuar axhendën e vitit 2030 me vizionin evropian dhe është e dedikuar në zhvillimin ekonomik dhe mjedisor të Kosovës.
Ai më tutje tha se “Për këtë axhendë janë paraparë dy rrugëtime ku e para është që të integrohen politikat evropiane në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe e dyta është reflektimi i zhvillimeve të mëtutjeshme të vizionit tonë afatgjat dhe të fokusohemi në politikat sektoriale pas vitit 2020 duke u përgatitur për implementim afatgjat të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm”.