Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara, UNICEF, tha se 46 milionë njerëz, në mesin e tyre 19 milionë fëmijë, kanë ikur nga dhuna dhe konfliktet vitin e kaluar, porse kanë mbetur në shtetet e tyre, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur nga katastrofat natyrore.
Raporti i UNICEF-it thekson se ka pasur rritje të madhe të numrit të njerëzve të zhvendosur brenda për brenda: nga 25 milionë një dekadë më herët, në më shumë se 40 milionë në pesë vjetët e fundit.
Vitin e kaluar, më shumë se 40 për qind e të zhvendosurve kanë qenë nën 18 vjeç, tha UNICEF.
“Miliona fëmijë të zhvendosur në të gjithë botën janë pa kujdes dhe mbrojtje të duhur”, tha përmes një deklarate drejtorja ekzekutive e UNICEF-it, Henrietta Fore, transmeton rel.
“Kur shfaqen kriza të reja, si pandemia e koronavirusit, këta fëmijë janë veçanërisht të cenueshëm”, tha ajo.
UNICEF tha se pandemia e koronavirusit po e bën edhe më kritike situatën për fëmijët e zhvendosur dhe familjet, këtë vit.
Raporti “Të humbur në shtëpi” thotë se fëmijët e zhvendosur nuk kanë qasje në shërbimet themelore dhe janë rrezik të ekspozimit ndaj dhunës, shfrytëzimit, abuzimit, trafikimit, punës dhe martesës së parakohshme.