UNICEF Kosovo ka deklaruar se respektimi i masave të shtuara parandaluese në shkolla për zbulimin dhe izolimin në kohë të rasteve dhe kontakteve të tyre deri më tani ka pasur sukses në parandalimin, dhe nuk ka nevojë që të gjithë shkollat të mbyllen.
Përmes një komunikate për medie, thuhet se kostot e mbajtjes së nxënësve jashtë shkollave janë shumë më të vështira për t’u kompensuar sesa dëmtimi i ekonomisë dhe mund të zgjasin edhe për një brez të tërë, përcjell Ekonomia Online.
Tutje, komunikata e plotë e UNICEF Kosovo:
“Derisa Kosova po përballet me një nivel më të lartë të infektimit me COVID-19 sesa më parë gjatë pandemisë, interesat më të mira të fëmijëve duhet të jenë thelbësore për sa I përket kohës dhe mënyrës se si të mbahen të hapura shkollat. Në fillim të këtij viti, mbyllja e shkollave preku rreth 345,000 fëmijë dhe adoleshentë në Kosovë, dhe mungesa e lojës, shoqërimit dhe ndërveprimit me mësimdhënësit mund të ndikojë shumë në mirëqenien dhe zhvillimin psikosocial të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Kosova ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme që fëmijët ta vazhdojnë mësimin gjatë pandemisë. Gjersa shumica e fëmijëve vazhdojnë shkollimin përmes mësimit në distancë, vendimi për të rihapur shkollat me masat e rekomanduara parandaluese dhe mbrojtëse në shtator ka qenë një hap pozitiv drejt zvogëlimit të ndikimeve negative të mbylljeve të stërzgjatura të shkollave. Ministria e Arsimit dhe Shkencës përdori udhëzime dhe qasje globale gjatë rihapjes së shkollave. Masat përfshinin kontrollimin e temperaturës në hyrje, zvogëlimin e madhësisë dhe orëve të klasës, zvogëlimin e ditëve të shkollës, rritjen e masave të higjienës dhe ndërgjegjësimin për masat e parandalimit të COVID-19.
Duke ndjekur Udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) për rihapjen e shkollave dhe kërkesat e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) dhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), UNICEF-I mbështeti zhvillimin e një Sistemi për Gjurmim dhe Paralajmërim të Hershëm, një modul për COVID -19,për të gjurmuar dhe mbledhur të dhëna në baza ditore për numrin e nxënësve dhe stafin arsimor në shkolla, klasë, përmes të cilit mund të identifikohen grupet e konfirmuara dhe / ose të dyshuara me Covid-19. Qasja në këto të dhëna është në dispozicion për MASH, ISHP, MSH dhe autoritetet lokale.
Zyra e UNICEF-it në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës kohët e fundit lansuan një anketë në U-Report mbi rihapjen e shkollave për vitin akademik 2020/2021. Nga 1577 U- RAPORTUES, rreth 60% e tyre ishin nën moshën 24 vjeç, ku pjesa më e madhe (40%) ishin të moshës 15 dhe 19 vjeç. Shumica e raportuesve (62%) ndiheshin të lumtur për rihapjen e shkollave dhe dëshironin të vazhdonin mësimin brenda shkollës gjatë këtij viti akademik (65%). Më shumë se gjysma e U-raportuesve ndiheshin të sigurt se nxënësit janë mjaft të informuar për masat parandaluese rreh COVID-19 (55%). U-Raportuesit konsideruan se shumica e institucioneve arsimore i kanë disa mënyra ose mjete për parandalimin e COVID-19 (39% raportuan se kishin mjaftushëm mjete, 37% raportuan se I kishin disa, por që kishin nevojë për më shumë mënyra dhe mjete për parandalim). Mësimi në distance u konsiderua si jo i kënaqshëm nga 1 në 3 U-Raportues të moshës 15 deri në 19 vjeç.
Provat nga bota tregojnë se respektimi i masave të shtuara parandaluese në shkolla për zbulimin dhe izolimin në kohë të rasteve dhe kontakteve të tyre deri më tani ka pasur sukses në parandalimin e shpërthimeve më të mëdha të virusit në shumicën e situatave. Në Kosovë, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, vetëm 31 shkolla janë mbyllur plotësisht ose pjesërisht që kur u rihapën. Gjersa pjesë të mëdha të botës po përballen me një valë të dytë të pandemisë, është thelbësore të dihet se si mbylljet e shkollave ndikojnë në arritjet e nxënësve, si dhe të merren parasysh dëmet joproporcionale për nxënësit nga familjet që janë në gjendje të rëndë ekonomike. Studimet globale të modelimit të hershëm sugjeruan që mbyllja e shkollave kishte zvogëluar bartjen e virsuit në komunitet më pak sesa intervenimet e tjera të distancimit social. Gjithashtu, studimet e deritanishme tregojnë përhapje më të vogël të virusit tek fëmijët e moshës nën dhjetë vjeç kundrejt fëmijëve më të rritur. Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha: “Gjatë muajit të kaluar, ekipi im i vizitoi më shumë se 100 shkolla në të gjithë Kosovën, duke vëzhguar përpjekjet rigoroze të stafit të shkollës dhe nxënësve për përmbushjen e masave të nevojshme parandaluese ndaj COVID-19. Së bashku me partnerët tanë, ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë dhe rrisim mbështetjen tonë për shkollat, në mënyrë që ato të mbyllen të fundit dhe të rihapen të parat”.
Kostot e mbajtjes së nxënësve jashtë shkollave janë shumë më të vështira për t’u kompensuar sesa dëmtimi i ekonomisë dhe mund të zgjasin edhe për një brez të tërë.