Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), është bërë anëtar i rregullt i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike (BUA) me të drejtë vote. Në Konferencën që u mbajt në Selanik të Greqisë, për anëtarësimin e UMIB-it kanë votuar në mënyrë unanime të gjithë anëtarët e BUA-
së.
Dekani i Fakultetit Ekonomik, Besart Hajrizi, i cili përfaqësoi UMIB-in në këtë Konferencë, tha se anëtarësimi në këtë asociacion lehtëson ndërkombëtarizimin e UMIB-it si dhe mundëson bashkëpunimin në fusha të ndryshme. “Të qenit anëtar në BUA lehtëson mobilitetin e stafit akademik dhe studentëve, mundëson organizimin e konferencës vjetore të BUA-së, dhe përgjithësisht mundëson shkëmbimin e përvojave të universiteteve ballkanike”.
Ndër aktivitetet përgjatë tri ditëve të Konferencës ishte edhe prezantimi i UMIB-it nga ana e dekanit Hajrizi. Ai foli për zhvillimin dhe konsolidimin e universitetit për një periudhë të shkurtër kohore. Gjatë takimeve përfaqësues të universiteteve të ndryshme ballkanike, shprehën interesim për realizimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me UMIB, transmeton Klan Kosova.