UP injoron personat me nevoja të veçanta, s’ka ekspertë për gjuhën e shenjave

Prishtinë | 10 Pri 2018 | 13:45 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi organizoi tryezën me temën “Arsimimi i personave me aftësi të kufizuar”.

Në këtë tryezë morën pjesë të gjithë përfaqësuesit e shoqatave të Kosovës me nevoja të veçanta.

Pati diskutime të shumta rreth mospërfshirjes së këtyre kategorive në sistemin arsimor.

Prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Myrvete Badivuku ka theksuar se UP-ja po merr parasysh kërkesat e të gjitha kategorive, kërkesa këto që sipas saj do të vlerësohen në vitin 2018 sepse kur janë parashtruar planifikimi buxhetor për UP-në kishte përfunduar, ka shtuar ajo.

“Lidhur me kërkesat e parashtruara nga organizatat me aftësi të kufizuara, ne kemi marrë obligim dhe kemi premtu që do t’i vlerësojmë kërkesat e tyre gjatë vitit 2018 sepse në atë kohë kur u parashtruan ishte vonë, sepse buxheti ishte ndarë dhe kërkesa e parë që ishte qasja e këtyre personave në objektet universitare të fakulteteve, disa fakultete e kanë pjerrinën, mirëpo jo të gjitha, në disa objekte është numër i madh i shkllëve ku pjerrina nuk është e mjaftueshme dhe shtrohet nevoja për platforma lëvizëse”, ka thënë Badivuku.

Ndërsa, Mexhid Foniqi nga Shoqata e të Verbërve ka theksuar se UP-ja ka ofruar mbështetje për personat e kësaj kategorie duke mos lënë anash edhe përkrahjen e kolegjeve private.

“Falënderoj Universitetin e Prishtinës për përkrahjen në vazhdimësi, në kuadër të komunitetit të të verbërve kanë defiluar mbi 40 persona duke mos llogarit edhe studentët e verbër në kolegjet peivate”, ka thënë Foniqi.

Fajin për mospërfshirjen e personave me nevoja të veçanta e mori Universiteti i Prishtinës, ku Enver Kurtulani nga Shoqata e të Shurdhërve dhe pjesë e kësaj kategorie tha se ky universitet nuk pranon asnjë të shurdhër, raporton EO.

“Duhet ta kuptoni se vetëm qasja fizike nuk është pjesë që arrin të gjitha, sa i përket komunitetit të shurdhër jemi të larguar nga ky universitet”, ka thënë Kurtulani.

Rukie Gashi, përfaqësuese e Shoqatës së të Shurdhërve, tha se ligjet në Kosovë vetëm bëhen dhe nuk zbatohen. Sipas saj, 99% e komunitetit të shurdhër dalin analfabetë, sepse mësimdhënësit nuk posedojnë njohuritë e duhura për gjuhën e shenjave.

“Gjendja është e keqe te aftësia e kufizuar, shumë ligje bëhen por nuk zbatohen, pensionet nuk janë të përfshira. Edhe donatorët janë zhgënjyyer, bëhen marrëveshje, nuk zbatohen, te komuniteti i shurdhër 99% dalin analfabetë, 99% e mësimdhënësve nuk e njohin gjuhën e shenjave, 30 vjet punojnë edhe nuk e dinë gjuhën e shenjave. Aftësia e kufizuar është lënë anash, pritëm standarde, pritëm pavarësinë, Kushtetutën, Demarkacionin e të gjitha por vetëm aftësia e kufizuar ka mbetur anash”, ka thënë Gashi.

Lulavere Kadriu-Behluli, nga  MAShT-i, tha se Ministria e Arsimit ka bashkëpunuar me Qeverinë Finlandeze për të trajnuar mësimdhënësit për gjuhën e shenjave, sepse sipas saj i gjithë rajoni ka mungesë të një eksperti për këtë kategori.

“Është sfidë në krejt botën çështja e shurdhmemecëve. Në shkollën e Prizrenit, mësuesit nuk e dinë gjuhën e shenjave, nuk kanë pasë ku me mësu, Ministria e Arsimit ka bërë asistentet ka aftësuar ashtu si ka mundur. Këta mësimdhënës iu kanë nënshtru një trajnimi në gjuhën e shenjave. Është i vetmi në Kosovë trajnuesi me shkollë të mesme që i trajnon tashmë asistentët, i cili duhet të jetë me master, po nuk kemi të tillë, vetëm këtë e kemi.

Nuk ka ekspertë për gjuhën e shenjave, është fushë që ne si rajon jemi mbrapa, duhet të investojmë shumë për të krijuar kuadra. Ne kemi filluar të investojmë por jemi në hapa fillestarë, nuk mund të themi se 99% dalin analfabetë me hulumtime të së kaluarës, duhet të bëjmë hulumtime. Tashmë pasi që kemi bërë punë dhe të shohim a kemi arritur progres”, ka thënë Kadriu-Behluli.

Nezir Çoçaj, anëtar i komisionit nga radhët e PDK-së, ka theksuar se mësimdhënësit duhet të jenë specifikë për një kategori të aftësisë së kufizuar dhe jo mësuesit për ta përmbushur normën merren me arsimin special.

“Një numër i madh i mësimdhënësve kanë mbetë pa norma, ata mësues me një përvojë të ndryshme janë marrë me arsim special duke qenë edhe mësues mbështetës duke plotësuar normat. Është mirë që Ministria të planifikojë një planifikim buxhetor për asistentët e veçantë. Deri më 2020 të përfshihen fëmijët me nevoja të veçanta, kemi rënie të përfshirjes së fëmijëve në vitin 2017”, ka thënë Çoçaj.

Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit, tha se të gjitha çështjet e adresuara në këtë tryezë do të shqyrtohen dhe do të kërkohet nga organet përgjegjëse që të miratohen dhe të zbatohen.

Ai u zotua se për mospërfshirjen e studentëve me nevoja të veçanta në UP, me mungesën e mësimdhënësve për fëmijët shurdhmemecë do të gjendet një zgjidhje dhe komisioni do të ngrisë zërin për këto kategori.

“Gjatë këtij diskutimi u konstatua se 96% e fëmijëve që e kryejnë shkollën e mesme janë analfabetë. U arsyetua që nuk ka kushte. Që mësuesit nuk e dijnë gjuhën e shenjave, kjo nuk arsyetohet.

U tha se nuk ka ekspertë për të bërë kurrikulën për gjuhën e shenjave, kush duhet me gjetë njerëz që bëjnë kurrikulën, nëse Qeveria dhe MAShT-i nuk e kanë bërë, kjo është shkelje, ngelizhencë e MAShT-it që duhet të merremi menjëherë me këtë çështje.

Vërejtja që u bë për UP-në, se shurdhmemecët nuk kanë qasje në UP, është diskriminim i madh dhe do të adresohet kjo çështje”, ka thënë Kurteshi.

 

Të ngjashme