UP-ja me mungesë të stafit akademik, kërkon vetë suspendimin e programeve

Prishtinë | 30 Qer 2017 | 08:37 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mosakreditimi dhe suspendimi i disa programeve të nivelit Bachelor, Master dhe Doktoratë në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina” u bë për shkak të duplikimit, si dhe për mungesë të stafit akademik.

Dhe kjo ka bërë që UP-ja të kërkojë vet suspendimin e 5 programeve në Fakultetin e Edukimit.

Këtë e ka konfirmuar për Ekonomi Online, Hysen Bytyqi, prorektor për mësimdhënie në UP, i cili ka thënë se pavarësisht rëndësisë që ka ky universitet ende ballafaqohen me mungesë të stafit akademik, i cili do të mbulonte programet studimore.

“Universiteti i Prishtinës edhe pse me traditën më të gjatë institucioni më i madh e më me rëndësi në Kosovë, vazhdojmë të kemi problem serioz sa i përket stafit apo mbulimit të programit të studimit lidhur me profesionalizëm. Ne kemi provuar disa herë të hapim vende të reja pune me aq sa ka nevojë Universiteti i Prishtinës. Normal nuk mund të hapet për çdo program, drejtim sepse ne nuk kemi standardizimet për aq profesorë sa kërkohet. Kemi bërë kërkesë edhe tek Ministria e Financave, por një gjë e tillë nuk është lejuar”, ka thënë ai.

Bytyqi ka treguar se nga 28 programe me të cilat ka konkurruar UP-ja, 14 për qind prej tyre janë refuzuar.

“Si Universitet i Prishtinës kemi konkurruar me 28 programe. 21 prej tyre ka pasur që të riakreditohen që këto programe kanë pasur akreditim së paku 3 vjeçar, e disa prej tyre edhe 5 vjeçar. Dhe 7 programe të reja të cilat UP e ka parë të arsyeshme të aplikojë me programe të reja. Nga 28 programe të cila kemi aplikuar, 4 prej tyre janë refuzuar e që në përqindje është 14%. Prej tyre nga 21 programe qe kemi aplikuar për riakreditim 3 nga ato kanë marrë përgjigje negative për vazhdimin e mëtutjeshëm për studimet në këto programe dhe nga 7 programe të reja që kemi aplikuar për akreditim një program ose 14% ka marrë përgjigje negative”, ka treguar Bytyqi.

Kurse shumica e suspendimeve sipas tij kanë ardhur si pasojë e ekzistimit të dy programeve të njëjta.

Madje ai ka treguar se për 5 programe të Fakultetit të Edukimit kanë kërkuar vet që të suspendohen, për shkak të programeve të njëjta që janë akredituar më herët, e për të cilat studentët nuk kanë shprehur dëshirë të vijojnë studimet.

“Numri i përgjithshëm i programeve të suspenduara në Universitetin e Prishtinës është 23 programe e që së paku 5 nga to ne me vetë dëshirë kemi kërkuar që të mos vazhdojnë më tutje dhe arsyeja është kështu. Për shembull katër programe të Fakultetit të Edukimit për shkak se ne kemi programe të akredituara të njëjta me 120 kredi. Ne kemi heq dorë sepse nuk ka studentë që do të përfshihen tani, ne kemi heq dorë nga programet që kanë qenë të njëjta por me 6 kredi dhe nuk kemi pasur nevojë të dublikojmë diçka të cilën veçse e kemi por me kredi të ndryshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se përzgjedhja për akreditime nga Komisioni Shtetëror i Cilësisë është bërë në tri faza.

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” janë gjithsej 23 programe që janë suspenduar nga KSHC-ja, prej tyre tri programe doktorate, dy në Fakultetin Ekonomik dhe një në Fakultetin e Filologjisë.

Të ngjashme