Uragani Irma tashmë po e shfryn tërbimin e tij në tokën kubane, pasi shkatërroi “parajsën” e Barbudës, mbuloi me ujë një pjesë të mirë të ishullit St. Martin dhe la me mijëra vetë pa energji elektrike në Porto Riko.
BBC shkruan se gjatë ditës së premte, stuhia pati ulje të fuqisë, duke kursyer në masë të madhe ishujt Bahanas, për shkak të ndryshimit të trajektores.
Por në orët e vona po të së premtes, uragani Irma u forcua sërish duke u përplasur mbi arkipelagun Kamaguej. Kështu ai kthehet në uraganin e parë të kategorisë së pestë që godet Kubën prej dekadash.
Ndërkohë frika më e madhe qëndron në Florida, kur 5.6 milionë personave apo 25% të popullsisë së këtij shteti amerikan, i është kërkuar të largohen teksa stuhia afrohet kanosëse.
Sipas BBC-së, autoritetet vendore trokitën derë më derë për t’i paralajmëruar banorët mbi rrezikun real të uraganit shkatërrimtar.
“Nëse u është kërkuar të largoheni, ikni tani! Jo pas një orë, jo pas një dite, por tani”, tha guvernatori Rick Scott.
Ndërkohë bilanci i viktimave nga stuhia Irma janë 24 persona në Karaibe, duke pasur një ankth të madh edhe për Florida-n.