Uran Ismaili bujti nëpër shumë vende në Prishtinë, e te ai shkon Erion Veliaj

Prishtinë | 31 Gus 2021 | 19:37 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, e ka përfunduar kampanjën e tij me bujtje në një mënyrë të veçantë.

Për dallim prej herëve të tjera ku Uran Ismaili ka bujtur nëpër të gjitha lagjet e Prishtinës, këtë herë ishte ai që hapi dyert e shtëpisë së tij për mysafirë. Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, shkoi me bujtë te Uran Ismaili.

Veliaj ka thënë se i ka pëlqyer shumë kjo fushatë e Ismailit dhe programi i tij që ka për zhvillimin e Prishtinës.

Tema e diskutimit mes kryetarit aktual të Tiranës dhe kandidatit për kryetar të Prishtinës ka qenë transformimi i qyteteve, digjitalizimi, krijimi i hapësirave të përbashkëta dhe një vizion afatgjatë për kryeqytetet shqiptare me krijim të një sinergjie të përbashkët.

“Pas dy muajve duke bujtë n’qytet e n’fshat, me Arizonën, Umën e Omerin e pritëm në shtëpinë tonë kryetarin shembull të Tiranës, Erion Veliaj. Biseda t’gjata me këshilla e shumë humor. Plot ide me vizion t’përbashkët për kryeqytete t’gjelbra e funksionale. Erioni na ndihmoi të nesërmen t’ia lëmë Prishtinës edhe një punë të mirë – mbjelljen e drunjve dhe ndreqjen e fushës të basketit në Breg të Diellit, lagjen ku unë jam rritë”, ka shkruar Ismaili.

Në fund të vizitës së tij në Prishtinë, Veliaj së bashku me Ismailin kanë ndreqë një fushë të sportit dhe kanë mbjellë disa pemë në Bregun e Diellit.

Të ngjashme