Gjatë vizitës së saj zyrtare në Irlandë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vlerësoi përparimin e bërë nga Shqipëria dhe Mali i Zi në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se të dyja vendet po avancojnë në procesin e zgjerimit mbi bazën e meritës.
“Shqipëria dhe Mali i Zi vazhdojnë të bëjnë përparim në procesin e zgjerimit. E mirëpres shumë mbështetjen tuaj të fuqishme për këtë qasje të bazuar në meritë, siç e përshkruat. Kjo mbështetje përfshin gjithashtu objektivin për përfundimin e negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi deri në fund të këtij viti”, tha von der Leyen, raporton Euronews.al.
Presidentja e Komisionit Evropian kujtoi gjithashtu zgjerimin historik të Bashkimit Evropian në vitin 2004, i cili u realizua gjatë Presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Kemi çdo arsye t’i besojmë Irlandës në këtë çështje, sepse, në fund të fundit, zgjerimi historik i vitit 2004 u arrit nën Presidencën irlandeze të Këshillit. Historia e vetë Irlandës na kujton pse zgjerimi është një nga investimet më të mençura të Evropës”, shtoi ajo.
Edhe Kryeministri i Irlandës, vendi i të cilit aktualisht mban Presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, rikonfirmoi mbështetjen për vendet kandidate në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Shqipëria ndodhet aktualisht në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit, pasi ka përmbushur standardet e ndërmjetme në kuadër të grupkapitullit “Themeloret” (Fundamentals).
Vendi aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009, fitoi statusin e vendit kandidat në vitin 2014 dhe hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në vitin 2022.
Gjatë procesit të negociatave, Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt negociues. Deri në fund të vitit 2025, u hapën edhe kapitujt e mbetur që mbulojnë burimet, bujqësinë dhe politikën e kohezionit.
Gjatë Konferencës së Tetë të Anëtarësimit në Bruksel, Bashkimi Evropian konfirmoi se Shqipëria kishte përmbushur standardet e ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit, duke i mundësuar vendit të kalojë në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur si objektiv që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.