USAID-i përkrah nxënësit e “Xhevdet Dodës” të avancojnë shkathtësitë si ndërmarrës të rinj

Prishtinë | 20 Mar 2018 | 15:59 | Nga Besjana Bajrami

Në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë është hapur punëtoria kreative “Makerspace”, në kuadër të programit të USAID-it “Përkrahja e adoleshentëve pas mësimit të rregullt”, që synon të zhvillojë mundësitë për punësim dhe shkathtësitë ndërmarrëse te të rinjtë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kjo punëtori është pjesë e Qendrës për Karrierë dhe Ndërmarrësi në këtë shkollë të kryeqytetit.

Zëvendës-ndihmësja e administratorit për Evropë dhe Euroazi e USAID-it, Gretchen Birkle, pasi pa nga afër punëtorinë dhe bashkëbisedoi me nxënës, u shpreh e kënaqur me idetë kreative që pa këtu.

“Është kënaqësi e madhe që të shohim këto ide dhe kreacione. Mendoj që kjo është diçka që paraqet një hap drejt një të ardhme të ndritur. Dëshiroj të ju falënderoj të gjithëve dhe ju dëshiroj shumë suksese në shfrytëzimin e kësaj mundësie që ju është dhënë”, tha Birkle.

Profesoresha e lëndës së teknologjisë në këtë shkollë, Egzona Haziri, tha se puna ka qenë mjaftë sfiduese. Haziri theksoi se më meritorët për këtë qendër janë nxënësit, të cilët kanë punuar edhe vikendeve.

“Përmes këtij projekti, nxënësit kanë mësuar shumë. Më meritorët për këtë punë kanë qenë nxënësit, sepse kanë punuar çdo ditë, madje edhe në vikende. Unë besoj që ky program do të ketë sukses dhe përmes këtij programi nxënësit do të kenë benifite të mëdha”.

Enea Osmani, nxënëse dhe pjesëmarrëse në këtë projekt, shprehu bindjen se ky projekt do t’iu ndihmojë atyre në zhvillimin e shkathtësive si ndërmarrës në të ardhmen.

“Këtu në shkollën tonë është hapë punëtoria ‘Makerspace’. Ka qene donacion i USAID-it, mirëpo është realizu edhe me ndihmën e nxënësve. Kemi ndihmuar në lyerjen dhe në instalimin e rrymës. Janë sjellë disa makineri te dobishme që shpresoj që do t’i përdorim sa më mirë. Edhe pse më herët nuk e kam menduar, gjatë aktiviteteve në këtë projekt, puna e një ndërmarrëse duket të jetë interesante dhe tërheqëse”, tha ajo.

Drilon Balaj, vullnetar dhe menaxhues i ekipit të vullnetarëve, tha se së bashku me nxënësit tjerë kanë ndihmuar në realizimin e kësaj hapësire.

“Së bashku me nxënësit e tjerë kemi bërë që sot kjo hapësirë të duket ashtu siç është. Ka qenë një punë e palodhshme nga të gjithë. Përmes këtij projekti jemi avancuar dhe e kemi njohur një fushë të re”, theksoi ai.

“Makerspace” është një ambient bashkëpunues ku nxënësit mund të marrin pjesë në projekte kreative praktike, me qëllim të zhvillimit të qëndrimeve ndërmarrëse dhe kompetencave të punësueshmërisë.

Sipas UNDP-së projekti ndihmon në zbatimin e planprogramit të Qeverisë së Kosovës për klasët 10-12 duke siguruar teknologji bashkëkohore, trajnime dhe mentorime për mësimdhënësit, dhe hapur “Qendra për Karrierë dhe Ndërmarrësi” në shkollat partnere.

Këto janë hapësira të transformuara, me mbështetjen e prindërve dhe komuniteteve, në ambiente të cilat pasqyrojnë mjediset bashkëkohore të punës.

Të ngjashme