Dhjetëra gjuhë fliten nëpër kampin e komandës qendrore të KFOR-it në “Arbëri”. Zyrtarisht dominon anglishtja. Flamujt e 28 shteteve anëtare valojnë krah për krah para objektit kryesor në “Film City”, në lagjen kodrinore të Prishtinës. Oborri dikur ishte shesh xhirimi i kompanisë për prodhimin, shpërndarjen dhe shfaqjen e filmave, “Kosovafilm”, shkruan sot Koha Ditore.
Tani është qendra më e madhe e këmbimeve të përvojave private e profesionale të paqeruajtësve ndërkombëtarë dhe stafit lokal. Të ndryshme janë uniformat e kamufluara të ushtarakëve që sillen poshtë e lart rrugicave me lloj-lloj dyqanesh e restorantesh anash, si edhe korridoreve të gjata me zyra të vogla. Të gjithë e zbatojnë urdhrin e prerë shkruar me të zezë në tabelat e bardha për mbajtjen e kapelave. Me turlifarë theksi flitet anglishtja, prej misionarëve që zyrtarisht njihen si Forca e Kosovës – KFOR.
“Unë nuk jam ushtarake, por ndihem si ushtarake”, thekson Arianita Spahiu, prishtinasja e cila punon prej vitit 2000 si përkthyese në zyrën për marrëdhënie me publikun.
Ajo përditë merret me raportet mediatike, të cilat i hyjnë në punë për t’iu ndihmuar paqeruajtësve të porsaardhur që të informohen me rrjedhat e përgjithshme në Kosovë. “Është punë stresuese, por njëherësh interesante”, thekson Spahiu.