Ushtrimi i sotëm “ KEK-TCA-1” është vlerësuar si i suksesshëm si nga zyrtarët e KEK-ut po ashtu edhe nga Agjencioni e Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës. Ky ushtrim ka pas për qëllim jo vetëm testimin e kapaciteteve operacion-ale të KEK-ut, por edhe menaxhimin, koordinimin dhe reagimin në raste fatkeqësish dhe krizash si dhe ka qenë i projektuar për përgatitjen e personelit për intervenim, komunikim, koordinim në mes udhëheqësve, menaxherëve dhe vendimmarrësve në situata emergjente. Ushtrimi i sotëm është realizuar në 3 faza: faza e përgatitjes, e zbatimit dhe faza e analizës pas ushtrimit.
Pas përfundimit të ushtrimit Drejtori i Operimeve te KEK-ut, Nijazi Thaqi theksoi: “Ushtrimi simulues që sapo përfundoi është i rëndësisë së veçantë jo vetëm për sigurinë e aseteve dhe të punëtorëve të KEK-ut por edhe për të gjithë banorët e Komunës së Obiliqit”.
I kënaqur me rrjedhën e ushtrimit u shpreh edhe Drejtori Agjencionit të Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës, Fadil Kodra. “Ushtrimi simulues u realizua mirë, sigurisht se ka vend për përmirësime por ky ishte edhe si test i planit emergjent të KEK-ut, unë i përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit dhe shpresoj se ushtrimin e radhës do të jemi edhe më të suksesshëm” theksoi Kodra.