“Utica College” ofron mundësi për studentët kosovarë

Prishtinë | 07 Kor 2017 | 15:03 | Nga Ekonomia Online

Kolegji Universum më saktësisht Departamenti i Shkencave Politike dhe Administratë Publike, ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Utica College.

Kjo marrëveshje iu mundëson stafit dhe studentëve nga Kosova publikim të artikujve të ndryshëm në Qendrën për Çështje Publike dhe Hulumtime Elektorale të Utica College, e cila ofron analiza dhe hulumtime mbi politikën e brendshme të ShBA-së si dhe politikës ndërkombëtare. Kontribuuesit e kësaj platforme vijnë nga 100 vende të botës.

Utica College i themeluar në vitin 1946 me seli në New York është një institucion i arsimit të lartë që ofron programe të ndryshme studimi si në nivelin bachelor ashtu edhe në nivelin master.

Sipas marrëveshjes, stafi akademik si dhe studentët e Kolegjit mund të publikojnë artikuj që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Evropën Juglindore, që përfshijnë kryesisht, por nuk kufizohen, këto tema: çështje të politikës të brendshme; marrëdhëniet ndërkombëtare; procesin e integrimit në BE; reforma ekonomike.

Iniciues i këtij projekti është Rrezart Dema, ish student i Kolegjit Universum si dhe Utica College, tash pjesë e stafit të Kolegjit Universum i cili edhe ka arritur të bëjë publikimin e parë në të cilin ka trajtuar lidhjet e Kosovës me SHBA-në.

“Ne si institucion jemi shumë të lumtur për këtë bashkëpunim me UTICA College pasi që përveç bashkëpunimve të shumta me vendet e Bashkimit Evropian po rrisim edhe bashkëpunimin me ShBA-në, pjesën e dytë të binomit euro-atlantik”, thotë Kushtrim Kokollari, koordinator i departamentit të Shkencave Politike dhe Administratës Publike në Kolegjin Universum.

Kjo marrëveshje është në vazhdën e shumë marrëveshjeve tjera të cilat kanë synim ndërkombëtarizimin arsimit kosovar dhe t’i ofrojnë mundësi studentëve tanë si për publikime ashtu edhe për studime semestrale por edhe për përfshirje në projekte të ndryshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme