Ceremoni diplomimi në “Universum”, të sapodiplomuarit inkurajohen të guxojnë për ndryshim

Prishtinë | 22 Qer 2018 | 19:18 | Nga Mehmet Krasniqi

Kolegji “Universum” ka mbajtur ceremoninë e diplomimit për studentët e tij, gjeneratës së 11-të të absolventëve dhe gjeneratës së 10-të të studentëve të masterit.

Drejtori Ekzekutiv i Kolegjit “Universum”, Alejtin Berisha, tha se sot është ditë shumë e rëndësishme për studentët të cilët nisin një rrugëtim të ri.

Ai ka përgëzuar dhe prindërit për të cilët tha se kanë sakrifikuar dhe kanë lënë mangët shumëçka nga jeta e tyre për të investuar në shkollimin e studentëve.

“Sot është dita juaj shumë e rëndësishme, kur e filloni një rrugëtim të ri”.

“Shpresoj që kjo ditë të jetë udhërrëfyes për ju, të punoni shumë ashtu siç keni punuar tri vitet e kaluara. Pres që ju të mbërrini piedestalet më të larta”, u shpreh Berisha.

Profesoresha Teuta Agai-Demjaha tha se në punimet e studentëve rëndom gjejnë tri gjëra “të shenjta”, e që sipas saj janë: dashuria, kujdesi ndaj njëri-tjetrit dhe guximi për të bërë ndryshimin.

Ajo ka theksuar se rinia është e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës, derisa ka përmendur si shembuj të mirë që duhet ndjekur suksesin e Dua Lipës, Rita Orës, Lorik Canës etj.

“Për të mësuar dhe studiuar na duhet guxim, për të bërë vendimet e duhura na duhet guxim. Rinia, ju, jeni ata që bëni ndryshimin. Dua, Cana, Rita janë të rinj që patën guxim të bëjnë ndryshimin”.

“Kolegji Universum radhitet në 3-përqindëshin e top universiteteve në botë. Ky fakt flet shumë”, theksoi mes tjerash Agai-Demjaha.

Studentja e Shkencave Politike, Luljeta Çelaj, ka inkurajuar kolegët e saj që çdoherë të ndjekin zemrën dhe intuitën e tyre. “Duke folur nga perspektiva e studentit të diplomuar, eksperiencat janë të panumërta. Me programin ‘Erasmus’ dhe bursat jashtë vendit kanë bërë të shohim Evropën dhe kjo është mundësuar nga Universumi”, tha kjo e sapodiplomuar.

E studenti i Departamentit të Biznesit dhe Menaxhmentit, Lorik Kuçi, u shpreh i bindur se gjenerata e tij do të arrijë suksese për të bërë krenarë prindërit dhe Kolegjin Universum.

“Kaluan tri vjet me eksperienca e shumë net pa gjumë. Ka shumë besim që do të jemi gjeneratë që do të arrijmë suksese”, tha Kuçi, ndërsa iu uroi studentëve rrugëtim sa më të suksesshëm në jetën në vazhdim.

Krahas diplomave, në këtë ceremoni ku merrnin pjesë dhe drejtorë e përfaqësues te shkollave të mesme të larta të Kosovës dhe familjarë të studentëve, janë ndarë edhe mirënjohje për studentët më të dalluar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme