Vajza 5-vjeçare gjendet e gjallë nën rrënoja pas përmbytjeve në Nepal, ribashkohet me prindërit

Prishtinë | 30 Gus 2026 | 13:24 | Nga Ekonomia Online

jë vajzë pesëvjeçare, e cila u shpëtua të premten, dy ditë pasi përmbytjet shkatërruese goditën Nepalin, është ribashkuar me prindërit e saj në spital.

Vajza, Manisha, ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ka bërë të ditur një zyrtar i Spitalit Mësimor në Kathmandu.

Ekipet e shpëtimit ndodheshin pranë Syabrubesit, në distriktin Rasuwa, duke kërkuar për të mbijetuar, kur dëgjuan një zë që fillimisht menduan se i përkiste një maceje të bllokuar nën rrënoja.

Sanju Khatri, zyrtar i Forcave të Armatosura Policore të Nepalit, tha se ekipet nisën të kontrollonin zonën dhe të largonin mbeturinat. Gjatë kërkimeve, ata zbuluan Manishën, e cila kishte mbetur e bllokuar nën rrënoja.

Shpëtimi i saj zgjati rreth dy orë. Vajza u nxor e gjallë nga rrënojat, por ishte mezi e vetëdijshme dhe reagonte shumë pak.

Ekipi i shpëtimit kërkoi një helikopter për evakuimin e saj, por kushtet e këqija atmosferike e bënë të pamundur transportimin e menjëhershëm.

Manisha u dërgua në kampin e shpëtimit të forcave, ku iu dha ujë. Pas një kohe, ajo rifitoi vetëdijen dhe ekipet nisën t’i jepnin ujë të orizit të zier, në përpjekje për ta rimëkëmbur.

Vajza ishte e traumatizuar nga ngjarja, ndërsa të shtunën pasdite u transportua me helikopter në repartin e urgjencës pediatrike të Spitalit Mësimor në Kathmandu.

Atje, ajo u ribashkua me prindërit e saj dhe po vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Të ngjashme