Për vajzën nga Peja, e cila kishte nisur të merret me sportin e xhudos në moshën 8 vjeçe, askush nuk kishte menduar se do të bëhej kampione e botës dhe kampione olimpike.
Për të thuhet se ka bërë atë që politikanët nuk e kanë arritur. Ajo ka bërë që të ngrihet dhe nderohet flamuri i Kosovës në dy nga vendet, të cilat nuk e kanë njohur atë, në Rusi në Kampionatin Botëror në vitin 2014, si dhe në Rio de Janeiro në Brazil, në Lojërat Olimpike në vitin 2016.
Ajo është Majlinda Kelmendi. Ajo u ngrit dhe u poq si sportiste, në klubin e xhudos “Ipon” në Pejë, në kushte të vështira pune, por me ambicie për t’u bërë e para në botë në sportin e xhudos. Fillimisht kjo ambicie, siç thotë Majlinda, për moshataret e saj, dukej vetëm si një dëshirë që mund të venitej.
“Kam qenë diku rreth 11 apo 12 vjet. Kemi dhënë një intervistë të gjitha vajzat e klubit dhe pyetja ka qenë “çka dëshiron të bëhesh kur të rritesh?’. Shumica e vajzave thanë “kampione e Kosovës”, “kampione e Ballkanit’. Ndërsa, unë thash ‘kampione e botës’. Prej atëherë kam pasur ambicie të mëdha dhe thjesht, e kam ndier që do të arrij diçka në këtë sport”, tregon Majlinda Kelmendi për Radio Evropa e Lirë.
Sukseset e Majlindës kishin nisur në vitin 2009, si kampione junior e Evropës dhe e botës. Në vitin 2013, bëhet kampione e botës, për të rritur. Majlinda pas kësaj, ndjek ëndrrën drejt olimpiadës.
“Po mendoj që në vitin 2013 nuk ka pasur shqiptar në botë që nuk e ka dëgjuar emrin e Majlinda Kelmendit dhe që nuk ka dëgjuar për rrëfimin tim. Sigurisht, që kulmi ka qenë në Lojëra Olimpike në Rio”.
“Ndihem shumë mirë, sidomos në shtetet, në të cilat marrim pjesë, që nuk e njohin Kosovën, aty jam shumë e motivuar. Aty jam shumë e vendosur për fitore, vetëm për shkak se mundohen që të të injorojnë, pavarësisht se sa ti je i mire. Ndoshta kjo nuk ka të bëjë me sportin, por ka të bëjë me shtetin. Kështu që jam shumë krenare që kam arritur ta ngriti flamurin në Brazil, por sidomos në Rusi” , shprehet ajo.
Majlinda Kemendi ka pasur oferta të majme nga vende të caktuara që t’i përfaqësojë ato në gara botërore dhe olimpike. Siç thotë ajo, ofertat e tilla kanë qenë milionëshe. Por, ajo i ka refuzuar dhe për këtë nuk është penduar asnjëherë.
Aktualisht, Majlinda është duke u rehabilituar pas lëndimit dhe operacionit. Megjithatë, sipas saj, shpenzimet për trajtimin pas operacionit dhe për rehabilitim, i ka mbuluar nga xhepi i saj dhe trajnerit Driton Kuka, sepse ndihma e shtetit ka qenë nën kufijtë e ndihmës modeste.
“Kur Majlinda fiton, krejt Kosova është në këmbë. E tash që Majlinda është e lënduar, është një qetësi absolute. Kështu që kur i mendoj këto gjëra, ndoshta për një moment, mund të dekurajohem. Mirëpo, nuk mendoj shumë për këto gjëra”.
“Kështu si person, ndoshta jashtë sportit të xhudos, jam e butë, jam e ndjeshme. Ndoshta gjërat, të cilave nuk duhet t’iu kushtohet rëndësi, më bëjnë të ndihem keq. Në anën tjetër, jam me karakter shumë të fortë. Vështirësitë që i hasi, jo vetëm në xhudo, por në përgjithësi në jetë, me bëjnë ende më të fortë”, thotë xhudistja Kelmendi.
Por, kush është Majlinda Kelmendi për qytetarët e vendlindjes së saj, Pejës? Ata flasin me admirim për të.
Rukie Nimanaj thotë se Majlinda i ka bërë krenarë të gjithë qytetarët e Kosovës:
“Majlinda Kelmendin unë e shoh si krenarinë e Kosovës. Unë e shoh si shembull. Kisha pasur dëshirë që edhe shumë femra tjera të jenë si ajo”.
Azem Isuf Muriqi e konsideron Majlindën si bijë të Kosovës:
“Majlinda Kelmendi është mbretëresha e Kosovës. E ka zënë vendin e parë, e kemi marrë medaljen e artë, të parën në Kosovë”.
Leonita Mulliqi, e cilëson Majlindën si vlerë të vendit:
“Është një krenari që e ka treguar veten në shumë aspekte. Është vlerë për ne”.
Sadik Bytyçi thotë se Majlinda është inspirim për sportistët tjerë:
“Majlinda Kelmendi, për mua është mbretëreshë e sporteve, sipas mendimit tim. Është inspiruese për sportistët e Kosovës. E falënderoj për gjithçka që ka bërë”.
Përderisa emri i Majlindës është përmendur edhe në Kombet e Bashkuara, për vetë atë, xhudoja më nuk është vetëm sport. Pas rehabilitimit, ajo thotë se sërish do t’ia mësyjë arenës së këtij sporti.