Deputetja e LDK-së, Doruntina Maloku, e cila është vajza e gazetarit dhe anëtarit të vrarë të LDK-së, Enver Maloku, ka reaguar ndaj deklaratës së njërit nga anëtarët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, i cili tha se “punë e madhe që janë vrarë njerëzit e LDK-së”.
Maloku ka shkruar se njerëzit e tillë si Nasim Haradinaj i OVL së UÇK-së, të cilin deputetja e quan monstër, më parë kanë shtyrë të rinjtë të besonin se njerëzit e LDK-së janë “udbashë” dhe duhet eliminuar.
Ajo ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, dhe nga shoqatat e veteranëve të distancohen nga deklarata e anëtarit të tyre.
Postimi i plotë i deputetes Maloku:
Kam dëgjuar disa herë që kur bëheshin plane për vrasjen e kundërshtarëve politikë në Kosovë, pra për vrasje të Intelektualëve të shquar të LDK-së, grupe të caktuara njerëzish të sojit të Nasim Haradinajt indoktrinonin të rinjtë duke u thënë që zyrtarët e LDK-së janë udbashë dhe ata duhet të eliminoheshin.
Ky monstra, mbrëmë e paska konfirmuar edhe publikisht këtë gjë: Punë e madhe që janë vra njerëzit e LDK-së, paska thënë ai!
Njëmend?
Mos e vet se t’kallxon vet, ka thënë populli!
Si deputete e LDK-së në Parlamentit të Kosovës, i kërkoj Kryeministrit Haradinaj dhe të gjitha organizatave të dala nga lufta që urgjentisht të distancohen nga deklaratat e Nasim Haradinajt.
Si fëmijë i një dëshmori të UÇK-së, Heroi të Kosovës, e zyrtari të lartë i LDK-së, i vrarë në atentat më 11 janar 1999, kërkoj urgjentisht nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që ta shkarkojë këtë fundërrinë nga kjo pozitë sepse ky nuk përfaqëson interesat e veteranëve as të neve familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe jo se jo vlerat e luftës!