Pas përfundimit të suksesshëm të kampanjës së dërgimit të ftesave përmes SMS për të bërë PAP Testin në Komunën e Prishtinës, sot grave dhe vajzave në Komunën e Prizrenit nga 21-65 vjeç, gjithashtu u janë dërguar ftesat individuale përmes mesazheve telefonike për të bërë PAP testin në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prizren.
Informimi dhe vetëdijesimi i grave dhe vajzave për të bërë PAP testin u arrit përmes mbështetjes së UNFPA-së, Zyra në Kosovë dhe koordinimit nga ana e Fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”.
“Ofrimi i Pap testeve pa pagesë si pjesë e programit të Skriningut të Kancerit të Qafës së Mitrës po vazhdon me sukses edhe në vitin 2018 në Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit. Programi i skriningut të kancerit të qafës së mitrës, përmes Pap testeve, u lansua fillimisht në vitin 2016 dhe deri më tani ka mundësuar realizmin e Pap testeve për gratë në grup-moshat e synuara në tre Qendra të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Në vitin 2018, programi u zgjerua edhe në Komunën e Prizrenit, ku ofrimi i Pap testeve ka filluar që nga muaji korrik. Qëllimi i skriningut për kancer të qafës së mitrës është zbulimi i hershëm i qelizave jonormale të qafës së mitrës, në fazat e hershme, kur mund te hiqen me lehtësi para se të zhvillohet kanceri. Aksioni për Nëna dhe Fëmijë po vazhdon njëkohësisht të punojë në ngritjen e vetëdijes së grave dhe vajzave edhe përmes ligjëratave me temën “Parandalimi i Kancerit të Qa fës së Mitrës,” ndërkaq dërgimi i ftesave përmes SMS-ave mundëson avansimin e programit në skrining të organizuar ku gratë dhe vajzat ftohen individualisht për të kryer Pap-testin”, thuhet në një komunikatë të organizatën ‘Aksioni për nëna dhe fëmijë’.
Ky program në Komunën e Prizrenit është mundësuar nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara- UNFPA si dhe falë bashkëpunimit në mes të Drejtoratit Komunal për Shëndetësi të Komunës se Prizrenit, Bordit Nacional për Kontrollin e Kancerit, Qendrës Kryesore te Mjekësisë Familjare në Prizren, Institutit te Anatomisë Patologjike pranë Qendrës Klinike Universitare te Kosovës, Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik në Kosovë, Spitali Rajonal në Prizren dhe koordinohet nga Aksionit për Nena dhe Fëmijë.