Vaksina e parë universale e gripit në botë u nënshtrohet provave klinike

Prishtinë | 13 Kor 2018 | 08:43 | Nga

Një kompani në Britani të Madhe po e kryen aktualisht një provë klinike të asaj që mund të bëhet vaksina e parë universale e gripit në botë – një synim ky i vështirë nga i cili do të kishim përfitime masive për shëndetin publik global dhe do ta eliminonte nevojën për injeksione vjetore.

Aktualisht, planeti ynë është duke u përballur me sezonin më të keq të gripit në disa vite, me një vaksinë sezonale që është dëshmuar të jetë më pak efektive se zakonisht, transmeton koha.net.

Arsyeja se pse vazhdimisht kemi nevojë për një vaksinë të re të gripit çdo vit është për shkak se virusi vazhdon të ndryshojë, me ç’rast disa variacione qarkullojnë nëpër mjedis në çdo kohë.

Bashkërendimi global u mundëson epidemiologëve të punojnë me disa variacione që duken më të përhapura nga viti në vit, dhe ta prodhojnë një vaksinë kundër atyre.

Kjo metodë ka nivele të ndryshme suksesi, në varësi të asaj se si virusi ndryshon gjatë periudhës së prodhimit të vaksinës, gjë që mund të zgjasë disa muaj.

Natyrisht, jeta jonë do të ishte shumë më e thjeshtë nëse do të mund të merrnim vetëm një vaksinë “universale” të gripit e cila do të mund të mbronte nga shumica e variacioneve për një periudhë më të gjatë kohore – dhe tani duket sikur Vaccitech, një spinoff privat i Universitetit të Okxordit në Britani të Madhe, po i afrohet gjithnjë e më shumë këtij qëllimi.

Kompania, e cila sapo njoftoi se i ka marrë 27.6 milionë dollarë nga investitorët, duke përfshirë edhe krahun kapital të sipërmarrëse të Alphabet Inc., e ka filluar tashmë një provë dyvjeçare të Fazës 2 në vaksinën e tyre universale të gripit.

Vaksina e patentuar e Vaccitech MVA-NP+M1 deri më tani është testuar me sukses për siguri në 145 persona, kështu që hapi tjetër është të zbulohet nëse është në të vërtetë e mirë për mbrojtjen e njerëzve nga gripi.

Pse është kaq sfiduese që të bëhet një vaksinë universale e gripit? Nëse e shikoni virusin e ndryshueshëm të gripit nën mikroskop, ai në thelb duket si një pikë me gjemba. Ato gjemba i përmbajnë dy lloje të proteinave – hemaglutininën dhe neuraminidazën – të cilat e përcjellin virusin nëpër qelizat tona, duke shkaktuar infeksione.

Janë këto dy proteina të ndryshueshme në shpejtësi ato që i mbajnë shkencëtarët të tensionuar, të cilët përgjithmonë krijojnë vaksina të reja të cilat mund ta shënjestrojnë variacionin më të fundit.

MVA-NP+M1 supozohet të funksionojë ndryshe nga vaksinat e zakonshme të gripit. Ajo ka për qëllim t’i forcojë qelizat T – një lloj qelize imune – të cilat tashmë janë të njoftuara me gripin, dhe përdor materiale të qëndrueshme thelbësore të virusit për ta bërë këtë.

Ndryshe nga proteinat në sipërfaqe, në llojin e influencës A – burimi më i zakonshëm i infeksionit për ne – ato proteina thelbësore vështirë se ndryshojnë, duke i bërë ato një objektiv potencialisht të madh të vaksinës.

Prova e parë në botë aktualisht po e teston efikasitetin e vaksinës në 862 persona të moshës 65 vjeç e më lart dhe studiuesit po supozojnë se do ta përfundojnë këtë përpjekje deri në tetor të vitit 2019.

Gjatë provës, të gjithë pjesëmarrësit do ta marrin vaksinën e rregullt të gripit përveç vaksinës së re universale ose të një placeboje. Hulumtuesit hipotezojnë se vaksina e tyre e re do të duhej ta rriste mbrojtjen e vullnetarëve kundër gripit më mirë sesa nëse ata do ta kishin marrë vetëm vaksinën vjetore.

Nëse rezulton të jetë kështu, vaksina mund të kalojë në provat finale të Fazës 3.

“Nëse marrim të dhëna pozitive që tregojnë se mund të ndikojmë në normat e hospitalizimit dhe sëmundjes me gripin, atëherë nuk ka dyshim në mendjen time se një partner do ta merrte këtë”, tha për Reuters, drejtori ekzekutiv i Vaccitech, Tom Evans.

“Kjo mund të jetë revolucionare në një treg shumë konkurrues”.

MVA-NP+M1 nuk është e vetmja vaksinë universale e gripit që po hulumtohet, edhe pse definitivisht është teknologjia që ka shkuar më së largu në aspektin se në fakt po testohet tek njerëzit. Sipas Evans, nëse gjithçka shkon mirë, ajo madje mund të jetë në treg brenda 5 deri 7 vjetësh.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme