Vaksina Pfizer/BioNTech është 93% efektive në parandalimin e shtrimit në spital tek fëmijët e moshës 12 deri në 18 vjeç, sipas një studimi të Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shkruan CNN
Vaksina ka treguar 91% efektivitet për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç dhe 94% efektivitet për grupmoshat 16 deri në 18 vjeç.
Studimi përfshiu 464 pacientë-179 të shtruar për shkak të Covid dhe 285 të shtruar për arsye të tjera-në 19 spitale pediatrike në 16 shtete midis qershorit dhe shtatorit 2021, një periudhë kohore kur varianti Delta ishte dominues.
Shumica e pacientëve (72%) kishin të paktën një sëmundje ekzistuese. Pacientët konsideroheshin plotësisht të vaksinuar kundër Covid-19 nëse kishin marrë dozën e dytë të vaksinës Pfizer/BioNTech para 14 ditësh.
Ata pjesërisht të vaksinuar – me vetëm një dozë ose me më pak se 14 ditë që nga doza e dytë – u përjashtuan nga analiza. Ndër 179 pacientët e shtruar në spital me Covid-19 në studim, 97% ishin të pavaksinuar. Të gjithë pacientët me sëmundje kritike nuk ishin të vaksinuar, përfshirë rreth 43% (77 pacientë) u shtruan në njësinë e kujdesit intensiv, 29 kishin nevojë për intubim dhe dy humbën jetën, raporton abcnews.al
Që nga gushti i 2020, më shumë se 65,000 fëmijë janë shtruar në spital me Covid-19 dhe gati 700 kanë vdekur, sipas të dhënave të CDC. Të dhënat e provave klinike nga Pfizer/BioNTech zbuluan se vaksina ishte 100% efektive kundër shtrimit në spital tek fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç, dhe kjo analizë e botës reale gjithashtu zbuloi se vaksinimi ishte shumë efektiv në zvogëlimin e rrezikut të shtrimit në spital te personat e moshës 12 deri në 18 vjeç.
Aktualisht, 46% e fëmijëve të moshës 12 deri në 15 vjeç dhe 54% e moshës 16 deri në 17 vjeç janë vaksinuar plotësisht, sipas të dhënave të CDC. “Këto gjetje përforcojnë rëndësinë e vaksinimit për të mbrojtur të rinjtë amerikanë kundër COVID-19,” sipas autorëve të studimit.
“Këto të dhëna sugjerojnë se rritja e fushatës së vaksinimit te këto grupe mund të zvogëlojë incidencën e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Për më tepër, me hapjen e shkollave, masat parandaluese, përfshirë vaksinimin, janë të domosdoshme.