Pandemia e koronavirusit ka bërë që numri i fëmijëve që vaksinohen, të bie ndjeshëm, thanë Kombet e Bashkuara.
Rënia e imunizimit kundër difterisë, tetanozit dhe kollës së thatë gjatë katër muajve të parë të vitit ndodh për herë të parë në gati tri dekada.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se vaksinat janë “një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm i shëndetit publik”.
Programet e imunizimit në tri të katërtat e më shumë se 80 vendeve që i janë përgjigjur studimit të Kombeve të Bashkuara, janë ndërprerë, thanë OBSH-ja dhe UNICEF-i (Fondacioni për Fëmjë i OKB-së).
Sipas tyre, ndërprerjet kanë të bëjnë me mungesën e pajisjeve mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, me kufizimet në udhëtime dhe me ngurrimet për të dalë nga shtëpia.
Deri në maj të këtij viti, së paku 30 fushata të vaksinimit kundër fruthit janë anuluar ose janë vënë në rrezik, thuhet në studim.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, përhapja e fruthit ka qenë në rritje para shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
Në vitin 2018, 10 milionë njerëz kanë qenë të prekur nga fruthi dhe 140,000 kanë vdekur – shumica e tyre fëmijë.
“Duhet ta parandalojmë përkeqësimin e mëtejshëm të vaksinimit, përpara se jeta e fëmijëve të kërcënohet nga sëmundje të tjera. Nuk mund ta tregtojmë një krizë shëndetësore për një tjetër”, tha shefja e UNICEF-it, Henriette Fore.